Hajduti i Bankës, bixhozçi profesionist

26/07/2014 00:00

Në rrugën “Fortuzi”, ku edhe ka banesën ekonomisti i Bankës së Shqipërisë Ardian Bitraj, banorët e zonës e njohin atë jo vetëm si frekuentues të lojërave të fatit, por edhe të pikave të basteve ku ai në këtë zonë raportohet se ka lënë shuma të konsiderueshme parash.

Në lagje, Ardian Bitrajn e njohin të gjithë si njeriu i heshtur që ndiqte ndeshjet e futbollit dhe linte në skedina shuma të jashtëzakonshme parash. Por, pakkush flet para kameras për atë që është bërë sot personazhi më enigmatik.

“Kam 15 vjet që e njoh. E dinë të gjithë që lozte, por ishte njeri korrekt”, thotë një nga banorët.

Të tjerët shprehen lirshëm jashtë kameras duke preferuar të mbeten anonimë, ashtu sikurse punonjësit e pikave të basteve që tregojnë se vetëm gjatë këtij Kampionati Boteror ai kishte fituar 100 mijë euro, për të lënë dhjetëfish në një ndeshje tjetër. Lojërat e fatit janë mbyllur për shkak të operacionit policor të para disa muajsh dhe për këtë është e pamundur të kontaktohet me pronarët e tyre.

Ardian Bitraj e ka banesën në katin e nëntë, një apartament që sipas hetuesve rezulton të jetë i blerë me kredi dhe ende nuk është paguar plotësisht. Disa dëshmitarë thonë që kishte raste që dita e Bitrajt, veçanërisht në fundjavë, niste e mbyllej me skedina, pikërisht disa kate poshtë shtëpisë. Por, askush nuk pranon të flasë me kamera as këtu. Nga ana e saj, pas rrëfimit të Bitrajt që ka treguar se 700 milionë lekët e marra prej tij në Bankën e Shqipërisë i ka lënë në lagje, veçanërisht në katër pika lojërash fati, Prokuroria ka sekuestruar kompjuterat e secilit prej këtyre bizneseve.

Në listë për t’u pyetur si persona që kanë dijeni rreth faktit janë të gjithë ata shtetas që Bitraj i ka përmendur si njerëzit që janë të informuar për shumat që ai ka lozur në kohë të ndryshme.

Hetimet vijojnë të konsiderohen si sekret shtetëror, jo vetëm për shkak të shumës marramendëse të tërhequr në katër vitet e fundit pa rënë në sy, por edhe mekanizmit të ndjekur. Grupi i hetimit vijon të mos besojë deklaratat e Bitrajt dhe koleges së tij Mimoza Bruzia, ku ndërsa ajo thotë që nuk di asgjë, 45-vjeçari këmbëngul se ajo i kishte kërkuar llogari para disa muajsh se ku i kishte çuar 40 milionë lekët që mungonin.

Top Channel