Harta e re e territorit me 61 bashki

17/07/2014 00:00

Komisioni Parlamentar për Reformën Territoriale miratoi në parim variantin përfundimtar të ndarjes së re administrative-territoriale.

“Janë shtuar 14 njësi të reja nga varianti me 47. Harta e Shqipërisë ka kaluar në 61 bashki, të cilat janë pjesë e një prej 5 hartave që ne kemi propozuar”, tha Bledi Çuçi, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor.

Shtimi i këtyre njësive të reja vendore është bërë pas propozimeve dhe sugjerimeve të të zgjedhurve lokalë, këshilltarëve lokalë dhe Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

Kryetari i kësaj partie, Shpëtim Idrizi, u shfaq i kënaqur që komisioni ka marrë parasysh propozimin për të përfshirë në ndarjen e re territoriale Bashkinë e Konispolit, e cila popullohet kryesisht nga shqiptarë me origjinë çame.

Në variantin paraprak, Konispoli ishte pjesë e Bashkisë së Sarandës. Nga bashkitë sensitive për të cilat ka pasur komente dhe që nuk ka ndryshuar as në variantin përfundimtar është Himara, e cila mbetet e bashkuar me Lumin e Vlorës. Kjo mund të sjellë votën kundër të aleates qeveritare.

Megjithatë, në këtë rast, qeverisë duket se i intereson më shumë vota pro e PDIU-së, e cila vazhdon ta cilësojë veten si parti opozitare, ta quajë të padrejtë miratimin e reformës pa Partinë Demokratike, por edhe të sqarojë pozicionin e saj.

“Nëse dikush do të na pyeste në sot se pritëm kaq gjatë, përgjigja është shumë e thjeshtë, ne pritëm që dy partitë kryesore të arrinin një konsensus. Nëse dikush do të na pyeste se pse nuk pritëm më, atëherë çfarë duhet të bënim? Të linin qytetin e Sarandës të ndarë në tre bashki, të linim Delvinën të destinuar në ‘vdekje ekonomike’, të linim pjesën e Çamërisë, të mbetur në Shqipëri, të humbiste integritetin? Sigurisht që jo dhe prandaj jemi këtu”, u shpreh Shpëtim Idrizi.

Duke rikonfirmuar se mazhoranca është e hapur për ndryshime deri me 31 korrik dhe se ligji për decentralizimin, do të miratohet deri në fund të vitit, kryetari socialist i komisionit, Bashkim Fino beson se opozita nuk ka qëllim konsensusin.

“Fakti që dy ditë më vonë ata nuk dhënë përgjigje, por vunë vetëm një kusht: Duam decentralizim dhe pastaj të shikojmë mundësinë e hartës. Ata nuk sollën asnjë hartë për të cilën mund të diskutonim. Kjo tregon që ata nuk e kanë qëllim kryesor për të bërë reformën e re territoriale, por kanë qëllim për ta penguar atë”, deklaroi Fino.

Miratimi i hartës së re territoriale deri në fund të korrikut do të thotë se vitin e  ardhshëm zgjedhjet do të organizohen sipas kësaj harte, me 61 bashki.

Pas kësaj, edhe Partia Demokratike do të duhet të sqarojë pozicionin e saj në lidhje me pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet lokale.

Top Channel