Blushi: Në Shqipëri po thellohet pabarazia

04/04/2014 00:00

Politikani Ben Blushi i rikthet publicistikës me librin “Hëna e
Shqipërisë” të cilin botuesi Henri Çili e quajti si të ndërtuar mbi një
arkitekturë duke parashikuar të ardhmen.

Çfarë vendi do të jetë Shqipëria në 100 vitet e ardhëshme? Do të jemi të bashkuar me Europën? Po me Kosovën?  Këto dhe shumë pyetje të tjera Blushi i jep përgjigje përmes asaj që ai e quan si një përpjekje për një parashikim të sotëm për të ardhmen.

19 ese-idetë dhe debatet të përfshira në ‘Hëna e Shqipërisë’, Blushi gjatë prezantimit tha se libri nuk është profeci, duke shpresuar të mos ishte në gabim në parashikimet e tij.

“Bashkimi me Evropën jam i bindur që të ndodhë, çështja është me çfarë kostosh ndodh për ne. Procesi i Bashkimit me Europën nuk do të jetë një proces i lehtë. Nuk jemi aq afër sa duhet të ishim, por jemi më afër se kurrë në histori dhe këtë përpiqem ta them në libër, duke u marrë pak me të ardhmen. Nesër do të ishte mirë të ishim bashkë me Kosovën, si një shtet më i madh, shumë i merituar, një treg më i madh, me një kulturë kombëtare të konsoliduar. Edhe ky është një proces i komplikuar në të ardhmen e afërt. Ndoshta jo. Nëqoftëse këto dy shtete nuk shkojnë paralelisht në aspektin e zhvillimit, demokracisë, zbatimit të ligjit, të kulturës, sigurisht bashkimi i të dyjave do të jetë një proces jo i lehtë në të ardhmen”, thotë Blushi.

Në kapitullin për fenë, Ben Blushi e shikon islamin drejt shkuarjes në një organizim politik. “Ndërkohë që të gjitha partitë dhe grupimet politike humbin terren,- shkruan Blushi,- islami fiton kauza dhe ndjekës çdo ditë duke shfrytëzuar dobësimin e të gjithë konkurrentëve të vet. është pothuajse një lëvizje politike,- thotë Ben Blushi,- duke e cilësuar si të heshtur por shumë aktive. Plot 10 ese në libër autori ia ka kushtuar pabarazisë në shoqërinë shqiptare.

“Unë besoj që pabarëzia do të theksohet në Shqipëri, se për fat të keq, binjakëzimi mes klasës së pasurve dhe elitës politike po bëhet dhe më i dukshëm dhe më i fortë, që do të thotë se të luftosh pabarazinë do të thotë që jo me një qëllim, por me një kuptim direkt apo indirekt të marrës vendimin që ta ligjërojnë të pasurit të ndajnë pasuritë me të varfërit. Në Shqipëria akoma nuk jemi në këtë realitet. Do të na duhet ndoshta shumë vjet për t’u afruar dhe ky është ndër dallimet më të mëdha që kemi sot me Europën”, tha Blushi.

Sikurse librat e tjerë që mbajnë firmën e Ben Blushit edhe ‘Hëna e Shqipërisë’ pritet të ngjallë diskutime dhe debate të shumta.

Top Channel