
Presidenti i Republikës, Giorgio Napolitano, nisi pa humbur kohë konsultimet me palët politike, pas dorëheqjes së Enrico Lettës nga posti i kryeministrit.
Kryetari i shtetit deklaroi se duhet një zgjidhje e shpejtë, për t’iu përgjigjur në mënyrë efikase çështjeve urgjente, si reforma institucionale, ligji zgjedhor dhe kësaj faze delikate ekonomike.
Sipas proçedurës, te presidenti i Republikës kanë shkuar së pari kryetarët e dy dhomave të Parlamentit, që aktualisht ka pezulluar aktivitetin, megjithëse kjo krizë është jashtëparlamentare.
Më pas, radhën e kanë përfaqësuesit e grupeve të përziera, ndërsa ditën e shtunë partitë e tjera, me përjashtim të “Lëvizjes Pesë Yjet”, që ka bërë të ditur se nuk do të paraqitet.
Ka shumë mundësi që Matteo Renzi, sekretar i Partisë Demokratike, të ngarkohet që nesër për krijimin e qeverisë së re nga kreu i shtetit.
Nga ana e tij, Renzi mund të konsultojë grupe parlamentare dhe t’i komunikojë presidentit, nëse pranon detyrën për krijimin dhe drejtimin e qeverisë.
Në këto dy ditët e fundit, tepër të ngjeshura me lëvizje të papritura politike, duket se tregjet financiare kanë përballuar dhe aprovuar këto ndryshime, të provokuara nga një vendim i prerë i Matteo Renzit: dalje nga amullia politike dhe hapja e një faze ndryshimi.
E ndërsa kanë nisur të qarkullojnë emrat e parë të ministrave të mundshëm, një sinjal pozitiv mbërrin edhe nga Europa. Kryetari i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, deklaroi se Renzi është një europian thellësisht i bindur.
Itali, Letta largohet nga Presidenca
Napolitano pranon dorëheqjen. Renzi në pritje të “bekimit”
Enrico Letta, kryeministër i Italisë deri ditën e sotme, ka qenë në
selinë presidenciale në Romë ku i ka dorëzuar dorëheqjen e tij
presidentit Giorgio Napolitano.
Takimi ka zgjatur disa orë dhe pas tij zoti Letta ka dalë nga Quirinalja për t’u larguar me makinën e tij personale, por njëkohësisht i nderuar nga forcat e sigurisë.
Pasi ka pranuar dorëheqjen e Letta-s, zyra e zotit Napolitano ka njoftuar se shumë shpejt do të nisin bisedimet me liderët politikë për zëvendësimin e shefit të larguar të qeverisë.
Konsultimet, të cilat thuhen se kanë filluar, do të zhvillohen me ritme të shpejta për të gjetur një “zgjidhje efikase” dhe ato mund të mbyllen ditën e shtunë, thuhet në një komunikatë.
Mundësia për t’u bërë kryeministër i Italisë pritet t’i jepet kryetarit të bashkisë së Firences, Matteo Renzi, i cili është politikani më i ri në moshë që synon këtë post.
Letta u rrëzua në një mocion të thirrur pikërisht nga Renzi në një takim të Partisë Demokratike të qendrës së djathtë. Gjithashtu, zoti Letta kishte qenë nën një presion të fortë për largim, për shkak të performancës së dobët ekonomike të Italisë.
Pozita e tij u bë edhe më e cënueshme kur Partia Demokratike mbështeti thirrjen për një administratë të re. Zoti Renzi argumentoi se ndryshimi i qeverisë ishte i nevojshëm për t’u dhënë fund pasigurive.
Qeveria e re që do të formohet do ta ketë mandatin deri në vitin 2018, kur përfundon dhe afati i legjislaturës aktuale, tha kryebashkiaku i qytetit të Rilindjes.
Gjithashtu, ai akuzoi zotin Letta për mungesë veprimi në përmirësimin e ekonomisë, me papunësinë që është në nivelin më të lartë të 40 viteve të fundit dhe ekonominë që është tkurrur me 9 për qind në shtatë vjet.
Top Channel