Plagoset polici në operacion

29/12/2013 00:00

Një punonjës policie mbeti i plagosur si pasojë e sulmit me armë nga një banor i zonës së ish-Kënetës në Durrës. Patrulla e policisë kishte shkuar për kontroll në banesën e Gazmir Markut, pasi dyshohej se ai ishte autor i një grabitjeje me armë të ndodhur orë më parë në fshatin Hamallaj të Durrësit.

Por, Marku menjëherë ka marrë automatikun dhe ka qëlluar në drejtim të patrullës së policisë duke lënë të plagosur oficerin e krimeve Agron Halilaj, 42-vjeç, me gradën nënkomisar. Në këto kushte, policia është kundërpërgjigjur me zjarr duke e plagosur Gazmir Markun, por ky i fundit, duke përfituar nga nata dhe terreni, ka mundur të largohet. Policia ka vazhduar të ndjekë gjurmët e gjakut të lëshuar prej tij dhe ka ushtruar kontrolle në disa banesa të afërta që mendohet se mund ta kenë strehuar.

Policia ka paralajmëruar banorët e zonës se do të mbajnë përgjegjësi penale siç e parashikon ligji për ata që strehojnë dhe ndihmojnë persona të kërkuar, ndërkohë që ka lajmëruar dhënien e 5 mijë eurove shpërblim për çdo person që mund të japë ndihmë në gjetjen e tij. Nën vëzhgimin e policisë janë edhe mjekët apo veterinerët e zonës që mund t’i japin ndihmën mjekësore të kërkuarit, pasi janë gjetur gjurmë të një gjakderdhjeje të madhe.

E gjithë zona pothuajse është rrethuar nga forcat RENEA dhe forca të tjera operacionale, ndërkohë që po bëhen kërkime edhe nga ajri me helikopterë. Policia mendon se i plagosuri është brenda rrethimit të saj.

Shkëmbimi i zjarrit ndodhi rreth orës 01 e 15 minuta ne zonën e ish-Kënetës. Policia shkoi për kontroll në banesën e Markut, pasi rreth orës 11 të mbrëmjes së të shtunës në fshatin Hamallaj ishin rrëmbyer një shumë prej 10 milionë lekësh një shtetasi dhe ishte dhunuar i zoti i shtëpisë.

Katër persona të maskuar u futën në shtëpinë e familjes Sallaku. Pasi kanë terrorizuar familjarët, kanë marrë shumën prej dhjetë milionë lekësh si edhe kanë qëlluar kryefamiljarin me qytat e armëve duke i dhënë plagë në kokë dhe trup. Isamil Sallaku ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Familjen e grabitur e ka vizituar ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri duke i premtuar se shumë shpejt grabitësit do të bien në dorën e policisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA