
Projektbuxheti ishte tema që emisioni i përjavshëm i Rudina Xhungës vendosi në qendër të një vargu temash ekonomike të trajtuara në seritë paraardhëse të “Shqip”.
Me të ftuar në studion kryetarin e Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçen, ish-zëvendësministrin e Ekonomisë, Gjergji Bojaxhiun, gazetarin ekonomik Gjergj Erebara dhe analistin Artur Zheji, biseda u përqendrua në një natyrë shpjeguese për publikun e gjerë, i cili mundi të shtronte pyetjet e tij edhe nëpërmjet rrjeteve shoqërore, në “Facebook” apo “Twitter”.
Natyrshëm, debati u përqendrua në hapjen e tij në vonesën, me të cilën kjo qeveri ka paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.
Tejkalimi i afatave ligjore në paraqitjen e projektbuxhetit
I vënë në “bankën e të akuzuarve”, zoti Braçe nisi shpjegimin e tij: “Së pari, për punën e vonesës unë e kam pranuar që javës që shkoi kur u hap një temë e tillë që: “Po është i vonuar” dhe “Po, janë tejkaluar limitet ligjore””.
“Është një vonesë që ka ardhur për shkak të përballjes me një situatë të pamenduar më parë, pavarësisht se dinim që qeveria e mëparshme kishte fshehur sasi të konsiderueshme borxhesh përkundrejt sipërmarrjeve, e në shumë zëra të tjerë, deri në pagesat e tetraplegjikve, por se mendonim të ishte i kësaj përmase”, vazhdoi Braçe.
“U bë një audit i parë përkundrejt asaj që kishte në fokus faturat e papaguara të investimeve publike. Nuk është bërë ende kjo gjë për pushtetin vendor dhe natyrisht pjesa tjetër e borxhit që ka të bëjë me rimbursimin e TVSH, borxh i evidentuar dhe prapë i papaguar prej vitesh. Për këtë arsye, e për shkak të faktit që kërkojmë një marrëveshje të re me FMN, natyrisht që jemi detyruar të shtyjmë përtej kohës dhe afatit ligjor buxhetin, e më mirë kështu se sa të miratonim një buxhet jorealist si ai i 2013. Preferuam të bëjmë një buxhet realist, duke marrë përsipër angazhime të qarta për mënyrën e pagimit të borxhit dhe zbatimit të kontratave”.
”Të gjithë këto tema që preku zoti Braçe meritojnë një diskutim të detajuar, por për thelbin që tha, që ka të bëjë me fshehjen e borxhin nga qeveria e mëparshme, nëse është e vërtetë duhet minumimi të ndëshkohen ata njerëz që kanë fshehur borxhin”, u kundërpërgjigj zoti Bojaxhiu.
“Qeveria, gjithashtu duhet t’i prezantojë publikut masat që ka vendosur të marrë, legjislacionin e përpunuar, që në të ardhmen fshehja e borxhit të ndëshkohet. Ne s’kemi dëgjuar nga qeveria që ka marrë masa për të ndëshkuar dikë për fshehjen e këtyre të dhënave apo ka marrë masa për të ndërtuar një legjislacion që të ndëshkojë këtë sjellje në të ardhmen”, shtoi ish-zëvendësministri i Ekonomisë.
“Që është e vërtetë fshehja e borxhit është e vërtetë”, replikoi Braçe. ”Kuvendi pajtoi një auditues të huaj që të merret me borxhin e faturave të papaguara të kontratave publike të investimeve e shërbimeve, gjithsej 246 milionë dollarë, ndërsa borxhi i krijuar për shkak të rimbursimit të papaguar dhe tatimfitimit është i provuar nga adminitrata fiskale. Unë nuk jam i autorizuar t’iu tregoj se kush po ndiqet penalisht apo nëse po ndiqet. Këtë duhet t’ia bëni si pyetje ministrit të Financave”.
Mungesa e transparencës me projektbuxhetin
Si një gazetar që prej vitesh ndjek çështjet ekonomike, zoti Erebara bëri një konstatim mbi transparencën që ka ndjekur qeveria në publikimin e këtyre shifrave. “Në lidhje me transparencën, kjo është hera e parë ndonjëherë që miratohet projektbuxheti dhe ai nuk publikohet në një faqe interneti, si Ministria e Financave apo Këshilli i Ministrave. Nuk e di përse nuk ka ndodhur dhe kjo është tërësisht e paprecedent”, komentoi Erebara.
“Unë jam i mirëinformuar nga burimet e mia, por çdo qytetar ka të drejtë që të futet në faqe dhe të shohë çfarë është miratuar. Është e vërtetë që qeveria e mëparshme ka pasur shumë vendime që i ka marrë dhe si ka publikuar, por e vërteta është që çdo vendim për buxhetin, qeveria e mëparshme i ka sh[allur me shumë transparencë”, mbështeti këtë konstatim zoti Bojaxhiu. “Jam dakord që qeveria e mëparshme bëri ndryshime të shpeshta dhe joserioze të buxhetit, por tani po themi që u miratua një draft nga qeveria, që i është çuar Parlamentit dhe ky është një dokument zyrtar. i kuptoj të gjitha arsyet që lidhen me FMN-në, që gjendja e gjetur ishte skandaloze, etj, por kjo nuk shpjegon përse nuk është publikuar në internet”, shtoi Bojaxhiu.
“E para, në këtë muaj, në Dhjetor, qeveria kurrë s’ka paraqitur një paketë fiskale në tetë vite dhe për më tepër është miratuar pas buxhetit dhe e pareflektuar në buxhet. Gjithmonë paketat fiskale janë miratuar pas miratimit të buxheteve. Nga ana tjetër, bie tërësisht dakord që nuk ka një standart dhe që duhet të vendoset një standart i tillë transparente që ju kërkoni”, theksoi Braçe.
Taksa progresive, a do të jetë me të vërtetë efikase
Në marrjen e fjalës, zoti Zheji e zhvendosi fjalën e tij tek taksa progresive. “Në këtë moment, taksa progresive a është më e shëndetshme dhe a do të ketë amendime, si investimet direkte të huaja që gjejnë interesante në Shqipëri pikërisht taksat?”, pyeti Zheji.
“Bashkëpunimin me FMN e kemi kërkuar për mbështetje buxhetore për të adresuar jo vetëm borxhet e këqija që kanë impaktuar edhe sistemin bankar shqiptar, por edhe për shkak të kredibilitetit. Interesi është i madh. Kur vijmë në këtë marrëveshje kemi rënë parimisht dakord që të vazhdojmë edhe të stimulojmë ekonominë edhe të bëjmë disa reforma strukturore që kanë të bëjnë me sistemin fiskal. Paketa fiskale që ne kemi prezantuar i ka dhënë këto përgjigje, ka pjesën e procedurave administrative në raport me sipërmarrjen dhe ka nivele të reja të taksimit e kjo është progresive, tatimi mbi të ardhurat personale, për biznesin e vogël dhe natyrisht për koorporatat në 15%, si dhe heqjne e përjashtimeve të favoreve mbi koncesionarët”, shpjegoi kryetari i Komisionit të Ekonomisë.
Shtresa e mesme
Për redaktorin e gazetës “Shqip”, Gjergj Erebeara tasksa progresive nuk i jep zgjidhje të varfërve, atyre që jetojnë me ndihmë sociale dhe as shtresës së mesme. “ Në gjithë këto kohë kam dëgjuar që 1 milion shqiptarë janë të varfër. Po mund të jenë të varfër, por duke patur parasysh realitetin e vendit, kur 15 përqind e shqiptarëve jetojnë nën 2 dollarë në ditë dhe 60 përqind nën 5 dollarë, kjo taksë progresive nuk i ndihmon në këtë situatë. A po u merret para të pasurve për t’ia dhënë të varfërve? Jo! Ajo që po ndodh është që njerëzit që janë tek shtresa e mesme, po i japin para njëri-tjetrit, kjo po ndodh me këtë taksë”.
Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Gjergji Bojaxhi qeveria gënjen shqiptarët kur flet për paketën fiskale të re: “Është për të ardhur keq që qeveria nxjerr një ministër që të gënjejë shqiptarët. Gënjeu sepse kur thotë 97 përqind e taksapaguesve, 2 muaj para fushatës, qeveria e mëparëshme hoqi taksën për ata që kishin rrogën nën 300 mijë lekë. Kjo qeveri po i bën një zbritje të pjesshme rreth 40 përqind të atyre që janë të regjistruar si të punësuar dhe po u shton taksën 3 përqind të atyre që janë të regjistruar. Tek shtresa e mesme, pjesa e ulët, ajo e poshtme e shtresës së mesme u është bërë një ulje. Pjesës së sipërme, njerëzit më agresivë në aktivitetin e tyre, janë nënshtruar nga kjo taksë dhe pjesa e pasur do të paguajë më pak se shtresa e sipërme e shtresës së mesme. Psh, një pronar lokali paguan më pak se sa administratori që vetë paguan”.
Deputeti socialist, Erjon Braçe konfirmoi se tatimi 10 përqind për pagat nën 300 mijë lekë është hequr para zgjedhjeve por shtoi se disbalanca mes atyre që jetojnë me ndihmë sociale dhe atyre që zotërojnë koorporata është shumë e madhe. “Kjo e bën të padallueshme se ku është shtresa e mesme dhe ku është shtresa e pasur, e larta e kështu me radhë. Infermierët, mësuesit, pedagogët, mjekët, policët përfitojnë nga kjo, nëpunësit përfitojnë nga kjo gjë. Paga 140 mijë lekë të reja, goditet vetëm me 0.9 përqind, 150 mijë lekë të reja goditet vetëm me 1.7 përqind. Paga 3 mln lekë të vjetra goditet me 7.3 përqind më tepër nga ajo që ka paguajtur deri më tani. Kjo skemë që të jetë e ndershme, të jetë reale duhet të luftohet edhe informaliteti. Taksa për alkoolin dhe duhanin është rritur me vetëdije të plotë”, tha Braçe.
Për Gjergji Bojaxhi: “Jemi në një gropë financiare dhe për të rregulluar këtë gropë, duhet të tregohemi të sinqertë me shqiptarët duke u thënë që do të rrisim taksat. Kosto e naftës do të transmetohet drejtpërdrejt në të gjithë produktin e zinxhirëve të tregtisë, do transportohet drejtpërdrejt tek mjetet. Më 1 janar shqiptarët do shohin që kostot e produkteve do të pësojnë rritje nga rritja e naftës, se sa shumë apo pak do të shihet. Shqiptarët do të përballen me rritjen e cmimeve. Shqiptarët po përballen me një rritje të kostos së jetesës. Problemi që unë kam është që kjo gjë duhet bërë. Cështja kryesore është që kjo duhet të shoqërohet me një reformë radikale në administratën shtetërore, që do të thotë që struktura fiskale e 2007 ishte goxha e mirë, por kjo duhet të shoqërohet me një ndryshim dhe profesionalizëm në administratën tatimore, e cila jo vetëm që të përmirësohej, e përkeqësoi situatën më shumë pasi u mbush me dallkaukë”.
Analisti Artur Zheji tha se opozita e djeshme, mazhorancë e sotme, diti të lexojë realitetin: “Më 23 qershor shqiptarët votuan këtë mazhorancë, falë faktit që kjo mazhorancë lexoi realitetin. Tani nëse shohim 100 ditët e kësaj qeverie, unë do të them që do të bëjë të njëjtën skemë si mazhoranca e djeshme. Gjithmonë vihet në pushtet me një doktrinë që prek popullin dhe njëkohësisht populli mendon që këta janë më afër dhe i voton. Shoh ngërc në komunikimin publik me shqiptarët. Nëse i themi shqiptarëve që kemi trashëguar situatë ekonomike dhe financiare shumë të keqe, kjo situtatë për t’u rigjeneruar nuk mund të rigjenerohet në 3 muaj. Duhet të vijë ajo ditë kur drejtpërdrejtë t’i themi qytetarit që kërkojmë 1, 2, 3 masa urgjente për të kaluar nga pika A e krizës në B vendin, për të përmirësuar situatën. Unë mendoj që në këtë fazë, taksa e sheshtë ta bën shumë të kushtueshme fshehjen e taksave sepse nuk ja vlen, ndërsa taksa progresive shtyn më shumë drejt fshehjes. A do jetë partneriteti me biznesin lokomotivë e zhvillimit? A do të goditet shtresa e mesme që merr peshën më të madhe në këtë paketë fiskale? ndërsa një biznesmen jo?”.
Akuzat e opozitës
Disa herë kryetari i Partisë Demokratike ka denoncuar projekt-buxhetin dhe paketën e re fiskale të mazhorancës së majtë. Për të këto politika rëndojnë shqiptarët dhe cojnë vendin drejt krizës. Ai dënoi gjithashtu edhe atë që e quajti mungesë të transparencës për buxhetin.
Gjergji Bojaxhi tha se është ironi fatit që i njëjti njeri që ka shkelur të gjitha format e transparencës me ndërtimin e rrugës së Kombit, që sipas tij, mund të ishte ndërtuar me shumë më pak kosto, tani flet për transparencë.
Erjon Braçe tha se si Lulzim Basha ashtu edhe ish-kreu i PD-së, Sali Berisha gënjejnë kur flasin për buxhetin e ri. “ Ai zotëria thotë për rritjen e cigareve dhe nuk thotë asgjë për uljen e barnave mjekësore. Harroi të thtoë që të gjitha ambalazhet që kanë të bëjnë me mjekësinë janë përjashtuar nga taksat me këtë paketë fiskale, ashtu sic foli prap për 1 mln shqiptarë e paskan me merak rritjen e paketës, por harron të thotë që 700 mijë të tjerë janë cliruar nga barra e taksave dhe për shumë kjo paketë ofron shërbim shëndetësore falas. Për ata që jetojnë me 2 dollarë marrim përsipër të rimbursojmë TVSH për energjinë dhe për 5 produkte bazë të shportës. 100 mijë familje që jetojnë me ndihmë ekonomike do të marrin rimbursim të TVSH për energjinë elektrike, për pensionistët do të jepët njëri prej këtyre favoreve”, tha Braçe.
Redaktori ekonomik i gazetës “Shqip”, Gjergj Erebara tha se rimbursimi i ilaceve është i papërfillshëm. “Kjo është thjesht propagandë, tha ai, nuk ka lidhje fare me uljen e cmimeve për ilacet”.
Bojaxhi rrëzoi pretendimin e qeverisë për rritjen e taksës së naftës për të mbrojtur mjedisin: “Nëse taksa e naftës do vendosej për arsye mjedisore, atëherë dihet që taksa mjedisore tek benzina është më e ulët se tek nafta në shumicën e vendeve, sepse benzina është më pak e dëmshme se nafta. Në këtë projekt, nga këndvështrimi mjedisor, qeveria është duke dhënë një mesazh të gabuar që nuk inkurajon qytetarët të përdorin benzinë sepse si taksa e naftës ashtu dhe e benzinës është njësoj. Unë mendoj që buxheti nuk është konsultuar me biznesin sepse po të ishte konsultuar do kishte marrë vërejtjet e duhura. Buxheti ka kaluar pa konsultim sepse janë parë interesat e arkës së shtetit dhe jo të ekonomisë së vendit”.
Top Channel