“Fitch” rishikon besueshmërinë e SHBA-ve

15/10/2013 23:55

Agjencia e vlerësimit “Fitch” ka vendosur të rishikojë vlerësimin aktual të besueshmërisë së SHBA-ve me AAA, për një nënvlerësim të mundshëm teksa afati i fundit për rritjen e tavanit të borxhit në SHBA po afron pa arritur një marrëveshje mes qeverisë demokrate dhe republikanëve opozitarë.

Lëvizja vjen pasi demokratët refuzuan një plan nga Dhoma e Përfaqësuesve, me shumicë republikane, si një përpjekje për të zbutur një grup të vogël të konservatorëve. Republikanët e Dhomës thanë se ata kishin planifikuar të votonin planin e rishikuar gjatë natës së ditës së martë.

Shtetet e Bashkuara duhet të rrisin limitin e huamarrjes prej 16,7 trilionë dollarë brenda ditës së enjte, përndryshe rrezikojnë falimentin.

“Njoftimi i Fitch reflekton nevojën urgjente me të cilën Kongresi duhet të veprojë, në mënyrë që të shmangë kërcënimin e falimentit që i kanoset ekonomisë së Amerikës”, tha një zëdhënës i Thesarit.

Ndërsa “Fitch” theksonte se, priste që tavani i borxhit të rritej së shpejti, në deklaratën e dytë shtohej se “lufta e politikës me zjarrin” dhe “fleksibiliteti i reduktuar financiar mund të rrinin rrezikun për një faliment të mundshëm të SHBA-ve”.

Gjatë një ngërçi tjetër fiskal në “Capitol Hill”, në vitin 2011, një tjetër agjenci e vlerësimit të besueshmërisë, “Standard & Poor’s”, e uli vlerësimin e SHBA-ve nga AAA në AA+.

Beteja e fundit buxhetore nisi 15 ditë më parë, kur republikanët konservatorë të Dhomës çuan në mbylljen e pjesshme të qeverisë, duke kërkuar nga presidenti Barack Obama të mos financonte ose të shtynte firmosjen e projektligjit të rishikuar të Kujdesit Shëndetësor.

Më pas, republikanët hoqën dorë nga ky pozicion dhe prej mëngjesit të së martës ata po synonin vetëm ndryshime të vogla të Aktit për Kujdesin Shëndetësor të 2010-s. Por, ata amenduan planin e tyre mbrëmjen e së martës, duke lënë në baltë edhe propozimet e fundit, pas dënimit të shpejtë nga Shtëpia e Bardhë dhe demokratët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA