Qeveria e Shteteve të Bashkuara po bëhet gati për një “shuarje”, pasi republikanët dhe demokratët në Kongres mbeten të ndarë për vazhdimin e financimit të buxhetit.
Agjencitë kanë filluar të bëjnë planet rezervë në prag të afatit të 1 tetorit, kur dhe do të votohet pro ose kundër rezolutës së financimeve. Senati ka miratuar një projekt për të financuar qeverinë deri më 15 nëntor.
Por Dhoma e Republikanëve ka deklaruar se refuzon ta aprovojë atë pa pasur masën që parashikon heqjen e fondit për reformën e presidentit Obama për shëndetësinë, e njohur si Obamacare.
Senati kontrollohet nga Partia Demokratike e zotit Obama, ndërsa republikanët kontrollojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve. Si rezultat, ligjvënësit janë në një ngërç serioz teksa data e skadimit afron.
Agjencitë qeveritare kanë zgjedhur punonjësit e konsideruar si thelbësorë për të vazhduar në rast se fondet ndërpriten. Situata e krijuar është një nga dy krizat fiskale me të cilën përballet qeveria e Shteteve të Bashkuara.
Më 17 tetor, autoriteti i Departamentit të Thesarit për të marrë hua para për të shlyer detyrimet e borxheve skadon, vetëm nëse Kongresi aprovon një rritje të të ashtuquajturit tavani i borxhit.
Gjatë së premtes, presidenti Obama u bëri thirrje republikanëve që ta miratojnë projekt/ligjin dhe të mbështesin rritjen e tavanit të borxhit, duke u kërkuar që “të mos djegin shtëpinë vetëm se nuk po bëhet 100 për qind në mënyrën e tyre”.
“Nëse vendi shkon në falimentim, atëherë kjo do të ketë një efekt dërrmues për ekonominë në mbarë botën. Votimi që Departamenti i Thesarit të paguajë faturat e tij nuk është një konçesion që më bëhet mua. Askush nuk mund të dëmtojë ekonominë tonë vetëm sepse janë disa ligje që nuk i pëlqejnë”, deklaroi Obama.
Top Channel