Në Han të Elezit, në pikën kufitare që lidh Kosovën me Maqedoninë, që nga orët e para të ditës së hënë ka filluar të zbatohet vendimi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, i cili ndalon futjen në Kosovë të të gjitha mallrave me origjinë nga Maqedonia.

Ky vendim ka ardhur si kundërpërgjigje ndaj Shkupit zyrtar, i cili ka vendosur taksa shtesë për shtetasit e Kosovës që dëshirojnë të kalojnë në Maqedoni.

Pak metra më tutje, në terminalin doganor shihen vetëm kamionët me targa të Maqedonisë, të cilët kishin hyrë në Kosovë para fillimit të zbatimit të vendimit. Ndërkohë, kamionët që erdhën më vonë për të hyrë në Kosovë kishin mbetur në zonë neutrale.

Vendimi i palës kosovare ka gjetur mbështetjen e Aleancës Kosovare të Bizneseve. Sipas përfaqësuesve të AKB-së, vendimi për bllokadë të produkteve maqedonase do të ndikojë negativisht në ekonominë e Maqedonisë, e jo në atë të Kosovës.

“Duke u nisur në bazë të atyre shënimeve që ne kemi dhe posedojmë gjatë katër viteve të fundit, duke përfshirë dhe gjashtëmujorin e parë të këtij viti, ne nga Maqedonia kemi pasur një import të përgjithshëm nga viti 2010 deri në gjashtëmujorin e këtij viti, 1 miliard e 52 milionë euro. Kurse eksport kemi pasur 73.7 milionë”, sqaron Agim Shahini, kryetar i AKB-së.

Ky vendim u mor pasi Maqedonia filloi të zbatonte taksa shtesë për shtetasit e Kosovës që duan të kalojnë në Maqedoni. Dy euro duhet të paguhen për një person, 5 të tjera për automjetin dhe 10 euro për autobusët apo kamionët.

Resmi Shkreta punon si taksist në këtë zonë. Ai thotë për Top Channel se kjo taksë e re është e papërballueshme për të, pasi i bie shpesh të kalojë kufirin. Edhe për qytetarët e tjerë nga Kosova, të cilët të hënën në mesditë po kalonin në Maqedoni, vendimi i palës maqedonase nuk u duket i pëlqyeshëm.

Këto zhvillime mes dy shteteve erdhën pas vendimit të Maqedonisë për ndalimin e importit të miellit, që ka përfshirë edhe Kosovën. Si kundërpërgjigje ndaj këtij vendimi, qeveria e Kosovës pati vendosur masa për disa prodhime me origjinë nga Maqedonia.

Palët, të gatshme për zhbllokimin e ngërçit

Pas situatës së krijuar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, të dy palët nuk kanë vonuar shumë dhe kanë filluar të përpiqen për një zgjidhje.

Gjatë pasdites së të hënës, zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, së bashku me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, u takuan në Prishtinë me ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë, Valon Saraqini.

Zonja Kusari Lila tha pas takimit se qeveria e Kosovës është e përkushtuar në zgjidhjen e ngërçit të krijuar dhe kur Maqedonia të heqë dy masa: masën kushtëzuese për importin e miellit dhe taksën për qytetarët.

Ndërkaq, edhe ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Valon Saraqini shprehu gatishmërinë e qeverisë maqedonase që përmes dialogut të zgjidhet kjo çështje.

Po ashtu, të dy palët u pajtuan që të jenë në komunikim të vazhdueshëm për zgjidhjen e shpejtë të këtyre çështjeve, që siç u tha pas takimit, në të mirë të qytetarëve të të dy shteteve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA