Rusia: Siria të dorëzojë armët kimike

09/09/2013 00:00

Rusia i kërkoi Sirisë që të vendosë gjithë arsenalin e saj të armëve kimike nën kontrollin ndërkombëtar, nëse kjo do t’i ndryshonte mendjen Shteteve të Bashkuara për të mos sulmuar vendin.

“Nuk ka asnjë provë konkrete, që unë kam përdorur armë kimike kundër popullit tim. Nëse do të ndërmerret ndonjë sulm kundër Sirisë, aleatët e mi do të kundërpërgjigjen”, tha Bashar al-Assad.

Në fakt shumë menduan se referenca ishte për Rusinë dhe Kinën, apo edhe për Iranin dhe Hezbollahun. Por, pak pas kësaj deklarate, Moska i kërkon regjimit sirian të vendosë të gjithë arsenalin e armëve kimike të Sirinë nën kontrollin ndërkombëtar dhe më pas t’i shkatërrojë, përpjekje kjo për të shmangur goditjen ushtarake të Shteteve të Bashkuara.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha pas takimit me ministrin e Jashtëm sirian, Valid Muallem, në Moskë, se ai shpreson për një përgjigje të shpejtë nga Damasku.

“Nuk e dimë nëse Siria bie dakort, por nëse armet kimike të këtij vendi vendosen nën kontrollin ndërkombëtar, mënjanohet goditja ushtarake. Pastaj ne, menjëherë nisim punën për këtë me Damaskun. Gjithashtu, i bëjmë thirrje udhëheqjes siriane, jo vetëm t’i vendosë nën kontroll, por më pas edhe t’i shkatërrojë”, theksoi Lavrov.

Valid Muallem mirëpriti ofertën e Rusisë.

Pas propozimit të Rusisë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov bisedoi në telefon me Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, por zyrtarët amerikanë duken të kujdesshëm për këtë plan. Zëdhënësi i Shtëpise së Bardhë, Jay Carney, tha se SHBA-të do të studiojnë propozimin, por ruajnë ende skepticizmin për besueshmërinë e regjimit të Assad.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, që ndodhet në Europë për të shtuar mbështetjen për veprime ushtarake, edhe njëherë paralajmëroi: “Të mos ndërmerret asnjë hap është më e rrezikshme se të ndërmarrësh një goditje ushtarake”.

I pyetur gjatë një konference për shtyp, nëse Assad mund të bëjë diçka për të ndaluar ndërhyrjen, Kerry u përgjigj se “ai duhet të dorëzojë të gjithë arsenalin kimik brenda javës së ardhshme”.

Zyrtarët amerikanë sqaruan më vonë se Sekretari i Shtetit bëri një argument retorik dhe jo një ofertë serioze. Rusia ka qenë aleatja kryesore në arenën ndërkombëtare për regjimin e Assad-it gjatë dy viteve të konfliktit.

Në Këshillin e Sigurimit ka bllokuar tre rezoluta kundër Sirisë dhe ka rrëzuar faktet që lidhin ushtrinë e Assad-it me sulmin me armë kimike në Damask.

Shtetet e Bashkuara akuzojnë Damaskun për përdorimin e armëve kimike më 21 gusht, në periferi të kryeqytetit, ku humbën jetën 1429 persona. Për regjimin sirian, sulmi mban autorësinë e kryengritësve që luftojnë për ta rrëzuar atë.

CNN shfaqi pamjet e sulmit me gaz sarin, por duke shpjeguar se nuk ka verifikuar në mënyrë të pavarur materialin dhe as se cilët janë autorët e sulmeve. Materiali është pjesë e 13 videove, që u janë shfaqur senatorëve amerikanë, të cilët u siguruan nga shërbimet sekrete se materiali është autentik.

Konflikti në Siri vazhdon prej më shume se 2 vjetësh dhe numëron aktualisht mbi 100 mijë viktima.

Votimi për Sirinë, ja si ndahet Kongresi amerikan

Kongresi amerikan pritet të votojë për t’i dhënë besimin presidentit
Obama për të ndërmarrë një sulm të kufizuar ushtarak ndaj Sirisë apo jo.

Sipas “Washington Post”, ligjvënësit amerikan të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit janë të ndarë në katër grupe, të paktën për momentin. Gazeta amerikane ndan grupet në ligjvënës që kundërshtojnë kategorikisht ndërhyrjen ushtarake, ligjvënës që kanë prirje për ta kundërshtuar ndërhyrjen, ligjvënës të pavendosur dhe ligjvënës që kërkojnë ndërhyrjen.]

Sipas projektimit të “WP”, në Dhomën e Përfaqësuesve gjasat janë që kërkesa e presidentit Obama të rrëzohet me rezultat të thellë. Në këtë dhomë, shkruan gazeta, 115 kongresistë janë shprehur kategorikisht kundër cdo forme ndërhyrjeje ushtarake, 115 të tjerë kanë lënë të kuptohet se do të votojnë kundër ndërhyrjes, 178 është grupi i kongresistëve të pavendosur dhe vetëm 25 është numri i atyre që kanë deklaruar mbështetjen për sulmin.

Që të miratohet kërkesa e shefit të Shtëpisë së Bardhë, i duhet të marrë 218 vota pro në këtë dhomë.

Ndërkohë në Senat numrat janë në favor të ndërhyrjes ushtarake. “Washington Post” shkruan se 17 senatorë janë kundër ndërhyrjes ushtarake, 10 anojnë më shumë nga vota jo, 50 është numri i të pavendosurve dhe 23 është numri i senatorëve që mbështesin ndërhyrjen ushtarake.

Por pavarësisht se si do të shkojë votimi në Kongres, presidenti Obama mund ta ndërmarrë sulmin, por i duhet që brenda 60 ditëve të marrë miratimin, nëse nuk e merr atëherë po brenda këtij afati duhet të tërheqë trupat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA