Një 32-vjeçar ka gjetur vdekjen e menjëhershme si pasojë e një aksidenti të ndodhur në qytetin e Korçës.
Ngjarja është regjistruar në unazën e qytetit, teksa motori me të cilin udhëtonte viktima është përplasur me automjetin tip “Fiat”, me targa “AA 223 FD”.
Sipas të dhënave të policisë, viktima është identifikuar me emrin Kristi Bica, i cili ka gjetur vdekjen si pasojë e përplasjes.
Pavarësisht se është transportuar me urgjencë në spitalin rajonal të Korçës, bluzat e bardha nuk kanë mundur ta mbajnë në jetë 32-vjeçarin.
Pas mbikëqyrjes së vendit të ngjarjes, ekspertët e policisë rrugore kanë arritur në përfundimin se automjeti tip “Fiat” ka qenë duke dalë nga një rrugë dytësore në unazë kur është goditur nga motori në pjesën e pasme të tij.
Policia ka konfirmuar se shkak i këtij aksidenti ka qenë shpejtësia me të cilën ishte duke udhëtuar motori, ndërsa është shoqëruar drejtuesi i mjetit, shtetasi Leonard Memelli, 20 vjeç dhe banues në Maliq.
Tjetër aksident, vdes 55-vjeçarja
Ngjarja në Kavajë, furgoni përplaset me një veturë
Një tjetër aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur pasditen e së shtunës në aksin rrugor Kavajë-Rrogozhinë. Një furgon pasagjerësh me targa të kryeqytetit është përplasur me një automjet me targa të Durrësit në vendin e njohur si kryqëzimi i Vorrozenit, në Kavajë.
Si rezultat i aksidentit, ku është përfshirë më pas dhe një automjet i tretë, raportohet se ka humbur jetën shtetasja Dove Xhaferraj, 55 vjeç nga Vlora, si dhe janë plagosur katër persona mes të cilëve një familjar i viktimës.
Në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e policisë rrugore të cilat kanë administruar zonën, ndërkohë që të plagosurit janë dërguar në spitalin e Durrësit, ku ndodhen nën kujdes mjekësor dhe jashtë rrezikut për jetën.
Aksidenti, përveç pasojave në jetë dhe shëndet njerëzish, ka shkaktuar edhe bllokim të përkohshëm të qarkullimit në njërin kah të lëvizjes. Policia rrugore vazhdon punën për sqarimin e rrethanave të aksidentit dhe zbardhjen e shkakut të tij.
Top Channel