Obama: Shënjestrimi i IRS, i patolerueshëm!

15/05/2013 05:00

Presidenti amerikan, Barack Obama, tha se vënia në shënjestër e grupeve konservative nga agjencia federale e taksave, për hetime shtesë, ishte “e patolerueshme dhe e pafalshme”.

Ai tha se ata që janë përgjegjës për veprimet e Shërbimit të të Ardhurave të Brendshme (IRS) do të mbajnë përgjegjësi për to. Obama foli pas një raporti të Departamentit të Thesarit, i cili fajësonte “menaxhimin jo efikas” të agjencisë.

Prokuroria e Përgjithshme urdhëroi një hetim të FBI-së ndaj sjelljes së IRS-së, përpara zgjedhjeve presidenciale të 2012-s. Eric Holder tha në një konferencë për shtyp, se agjentët do të përcaktojnë nëse ndonjë ligj është shkelur.

Veprimet e oficerëve të taksave, nëse nuk kanë qenë kriminale, kanë qenë “me siguri të egra dhe të papranueshme”, shtoi Holder.

IRS kishte përdorur fjalë kyçe si “festë çaji” dhe “patriot” për t’i detyruar disa aplikime të grupeve, që kërkonin përjashtimin nga taksat, për hetime të mëtejshme.

Mbrëmjen e së martës, Obama, nëpërmjet një deklarate, foli mbi hetimin e Departamentit të Thesarit: “Rezultatet e raportit janë të patolerueshme dhe të pafalshme”.

“IRS duhet të respektojë ligjin në një mënyrë të drejtë dhe të paanshme dhe punonjësit e tij duhet të veprojnë me integritet të lartë. Ky raport tregon se disa prej punonjësve të tij dështuan në këtë provë”.

Top Channel