Në Bruksel është arritur të premten marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Brukseli.

Lajmi është konfirmuar nga ministrja kosovare e Integrimit, Vlora Çitaku, përmes një mesazhi të postuar në rrjetin social Twitter.

“And the white smoke is out! Habemus pactum! Happy”, ka shkruar Çitaku, që e përkthyer do të thotë: “Doli tymi i bardhë, kemi marrëveshje. E lumtur”.

Ndërkohë, konfirmimi ka ardhur edhe nga këshilltari i kryeministrit Hashim Thaçi, Bashkim Çollaku për gazetën “Express”. “Marrëveshja është arritur”, ka thënë Çollaku.

Ashton: Marrëveshja u firmos

Shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton, duke komentuar arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi, ka njoftuar mbylljen e negociatave mes palëve.

“Negociatat kanë përfunduar, tekstit i janë vënë inicialet nga të dy kryeministrat”, ka deklaruar Ashton, e cila ka përshëndetur angazhimin e Prishtinës dhe Beogradit në këtë proçes.

“Dua t’i uroj të dy kryeministrat për vendosmërinë dhe guximin që kanë pasur gjatë këtyre muajve. Është e rëndësishme që ajo që po shohim tani të jetë një hap më larg nga e kaluara dhe për të dy një hap më afër Evropës”, ka thënë Ashton për gazetarët në Bruksel.

Thaçi: Marrëveshje historike

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë komentet e para pas takimit ku është arritur marrëveshja me Serbinë, të cilën e ka cilësuar si “historike”.

“Ne sapo kemi nënshkruar marrëveshjen e parë historike ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë, me garancitë e baroneshës Ashton. Kjo marrëveshje është nënshkruar inicialisht mes dy kryeministrave të dy shteteve me garancinë e baroneshës Ashton.

Arritja e kësaj marrëveshjeje është njohje e Kosovës, e subjektivitetit ndërkombëtar, sovranitetit dhe integritetit territorial.

Marrëveshja është bazë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve tona dhe popujve tanë, prandaj jam i kënaqur që gjendem sot këtu në Bruksel me baroneshën Ashton dhe kryeministrin Daçiç, që kemi arritur këtë marrëveshje për të ardhmen e të dy vendeve tona, të ardhmen evropiane.

Jemi të vetëdijshëm se do të ketë njerëz edhe në Kosovë edhe në Serbi që nuk do të jenë të kënaqur me këtë zgjidhje, por kjo është zgjidhja më e mirë e mundshme edhe për Kosovën edhe për Serbinë edhe për rajonin dhe Bashkimin Evropian.

Jemi të vendosur që ta zbatojmë në praktikë këtë marrëveshje në ditët e ardhshme, kur do të bëjmë marrëveshjen për implementimin. Kjo do të thotë se deri më 26 prill ne do të kemi edhe draftin përfundimtar për implementim dhe aktorët implementues, institucionet e Republikës së Kosovës, EULEX-in, NATO-n dhe në rol lehtësues Serbinë”, ka thënë kryeministri i Kosovës.

Daçiç: Serbia nuk e ka pranuar sot këtë marrëveshje

Mediat serbe citojnë kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç të ketë thënë se Serbia nuk e ka pranuar sot këtë marrëveshje.

“Unë i kam vënë inicialet në tekstin e propozuar, për pranimin ose refuzimin e të cilit të dyja palët do të deklarohen gjatë ditëve në vazhdim”, ka thënë Daçiç, duke shtuar se ky tekst sot është gjithësesi më i përshtatshëm seç kanë qenë propozimet e deritashme.

Sipas mediave serbe, bashkësia e komunave serbe do të ketë autorizime të mëdha. Konkretisht ajo do ta propozojë komandantin rajonal të policisë, do të ketë përbërje serbe në sistemin e drejtësisë dhe do të ketë një përfaësi të gjykatës së qarkut në veri të Mitrovicës.

“Selia e bashkësisë do të jetë në veri të Mitrovicës, do të ketë pronën e vetë, xhirollogarinë e vetë, Kuvendin, presidentin, nënpresidentin dhe këshillin, si një formë qeverie. Do të ketë mbikëqyrje të plotë dhe autoritet ekzekutiv kur bëhet fjalë për arsimin, shëndetësinë, kulturën dhe planifikimin  hapësinor”, ka thënë Daçiç.

Prishtina e ndarë për marrëveshjen?

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga mirëpret marrëveshjen e arritur mes kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç. Presidentja Jahjaga vlerëson se, marrëveshja e arritur ndihmon në vendosjen e bashkëpunimit të gjithanshëm.

Sipas saj, ajo gjithashtu relakson raportet ndërmjet dy vendeve tona, duke ndihmuar në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe është kontribut konkret për paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë.

Ndërkohë, opozita në Kosovë është e përçarë për marrëveshjen e arritur në Bruksel. Subjekti më i madh opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk ka pranuar ta komentojë marrëveshjen me arsyetimin se ende nuk e ka parë atë. Sipas LDK-së, kryetari Isa Mustafa të shtunën do të paraqesë qëndrimin e tij lidhur me këtë.

Nga ana tjetër, lëvizja Vetëvendosje zyrtarisht ka deklaruar se, për të kjo është një marrëveshje e papranueshme. Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës beson se kjo marrëveshje fillimisht krijon mundësi për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës dhe shtrirje të plotë të kushtetuteshmërisë dhe juridiksionit të Kosovës në atë pjesë të vendit.

Pak orë pas siglimit të marrëveshjes në Bruksel, urime kanë ardhur edhe nga ambasada amerikane në Prishtinë. Në një komunikatë për media thuhet se: “SHBA vlerësojnë përkushtimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së Catherine Ashton dhe ekipit të saj, si dhe lidershipin e treguar nga dy kryeministrat dhe ekipet e tyre”.

Kerry: Sa më parë zbatimi i marrëveshjes

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ka uruar Serbinë dhe Kosovën për marrëveshjen e arritur të premten në Bruksel, me ndihmen e shefes së politikës së jashtme të BE, Catherine Ashton.

Në reagimin e tij, zoti Kerry ka vlerësuar se marrëveshja Kosovë-Serbi bazohet mbi parimet për normalizimin e marrëdhënieve dhe për këtë arsye ka një rëndësi të veçantë.

“Marrëveshja kërkoi kompromis dhe guxim politik nga të dyja palët. Ajo do të afrojë Serbinë dhe Kosovën më pranë integrimit evropian. Inkurajoj të dy vendet që të zbatojnë me shpejtësi marrëveshjet e arritura në këtë proçes”, ka thënë Kerry. 

NATO: Gati të garantojmë zbatimin

Më herët gjatë ditës, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rassmussen siguroi se Aleanca është gati për
të dhënë kontributin e saj për të garantuar zbatimin në terren të
marrveshjes.

“Dua të komentoj përpjekjet e Bashkimit Europian dhe Përfaqësueses së
Lartë Ashton për të lehtësuar këtë dialog mes Prishtinës dhe Beogradit
dhe unë mund t’ju garantoj se NATO mbështet plotësisht atë dialog.

Ne jemi gjithashtu të përgatitur për të luajtur rolin tonë. Nëse ne
duhet të kontribuojmë për gjetjen e zgjidhjes përfundimtare, jemi të
përgatitur për këtë.

Jam në kontakt të vazhdueshëm me Përfaqësuesen e Lartë Ashton dhe ne
sigurojmë një bashkëpunim dhe koordinim mjaft të ngushtë mes BE-së dhe
NATO-s në këtë fazë kritike të negociatave dhe ne mbetemi të gatshëm për
të dhënë kontributin tonë në rast nevoje për të garantuar që këto
negociata të mund të përfundojnë me rezultat pozitiv, të cilin shpresoj
ta shoh shumë shpejt”, deklaroi Rassmussen.

Mësohet se gjatë ditës, BE dhe NATO janë konsultuar për aspekte që lidhen me forcat e sigurisë së Kosovës.

Fyle: Urime Serbisë dhe Kosovës

Edhe komisioneri evropian për Zgjerimin, Stefan Fyle ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit.

Përmes një mesazhi të postuar në rrjetin social Twitter, fillimisht zoti Fyle ka uruar baroneshën Ashton për punën e bërë në këtë proçes.

“Urimet më të përzemërta Catherine Ashton për bazën e marrëveshjes së arritur sot mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë Fyle. Më pas komisioneri i ka dërguar një mesazh edhe palëve ndërmjetësuese:

“Urime Serbisë dhe Kosovës për kurajon dhe angazhimin tuaj! Ju mund të besoni tek mbështetja e plotë e BE-së për rrugën tuaj evropiane”, ka thënë Fyle.

Barroso: Marrëveshja të zbatohet sa më parë

“Marrëveshja e arritur është një akt historik, e cila duhet të zbatohet sa më parë”, ka qenë reagimi i presidentit të Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso në lidhje me marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë.

“Jam i bindur se marrëveshja e arritur mes palëve do të hapë rrugën që Këshilli të marrë vendimet për hapat e Serbisë dhe Kosovës në integrimet evropiane. Populli i Serbisë dhe Kosovës dëshiron që të ecin përpara dhe të shohin perspektivën e tyre evropiane të bëhet realitet. Kjo gjë është thelbësore për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e Evropës jug-lindore dhe të Bashkimit Evropian si tërësi”, ka thënë Barroso.

Përmes një komunikate për shtyp, presidenti i KE ka uruar edhe dy liderët për përkushtimin, kurajon dhe vizionin e tyre.

Serbët e veriut: Nuk e pranojmë marrëveshjen

Pak orë para arritjes së marrëveshjes në Bruksel, përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës deklaruan se nuk do ta pranojnë dhe zbatojnë atë.

Sipas “REL”, në një takim që kanë mbajtur në Zveçan, ata theksuan se nuk do t’i pranojnë institucionet e Republikës së Kosovës dhe se janë të vendosur të mbeten në përbërjen e Serbisë.

Kryetarja ilegale e Kuvendit paralel të veriut të Mitrovicës, Ksenija Bozhoviç tha se, përfaqësuesit serbë të katër komunave të veriut të Kosovës, përkatësisht Zveçanit, Zubin Potokut, Leposaviçit dhe Mitrovicës së veriut, “kanë rënë dakord se askush nuk ka të drejtë të nënshkruajë marrëveshje që cenojnë territorin e Serbisë”.

“Populli serb dhe qytetarët e Republikës së Serbisë janë bartësit e vetëm të sovranitetit dhe askush nuk ka të drejtë që, në kundërshtim me vullnetin e tyre, të nënshkruajë marrëveshje dhe akte të tjera për vendosjen e pushtetit të shtetit të papranuar, Republikës së Kosovës, në një pjesë të territorit të Serbisë”, tha Bozhoviç.

Edhe Kërstimir Pantiç, zëvendës i shefit të zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, theksoi se serbët e veriut nuk do të lejojnë që, qoftë nga qeveria e Beogradit, qoftë nga ajo e Kosovës, ose edhe nga bashkësia ndërkombëtare, t’ju imponohet çfarëdo qoftë që nuk është në përputhje me vullnetin e tyre.

Ai e porositi me tone kërcënuese kryeministrin serb, Ivica Daçiç, se serbët e veriut nuk do të marrin pjesë në zbatimin e marrëveshjeve me Prishtinën. “Le ta marrë Daçiç këtë marrëveshje nga Brukseli dhe le të vijë këtu që ta zbatojë së bashku me Hashim Thaçin”, tha Pantiç.

Porosi të ngjashme për autoritetet e Beogradit dërgoi edhe lideri tjetër i serbëve të veriut, Radenko Nedeljkoviç, i cili kërkoi nga delegacioni serb në Brukseli që të tërhiqej nga dialogu.

“Kthehuni prapa dhe dëgjoni zërin e popullit. Pavarësisht se çfarë do të bëni, ky popull nuk do ta pranojë. Ne nuk i duam institucionet e Kosovës dhe nuk e duam shtetin e Kosovës”, u shpreh Nedeljkoviç. 

Berisha: Marrëveshja, arritje madhore

Edhe kryeministri shqiptar Sali Berisha u është bashkuar përshëndetjeve të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, të arritur në Bruksel. Përmes një deklarate të publikuar online, kryeministri Berisha e ka cilësuar marrëveshjen si historike dhe në interes të të gjithë rajonit të Ballkanit.

“Sot, në Bruksel, pas negociatash serioze u arrit  marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton dhe mbështetjen direkte të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për procesin.

Kjo marrëveshje historike  përbën një arritje madhore, tejet të rëndësishme  për  Kosovën dhe Serbinë, normalizimin e marrëdhënieve midis tyre. 

Marrëveshja e Brukselit ka një rëndësi të madhe  për të gjithë rajonin tonë, për paqen, bashkëpunimin dhe integrimin rajonal dhe europian.

Marrëveshja e sotme hap një kapitull të ri në marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve në rajonin tonë, në përpjekjet e tyre për një të ardhme të përbashkët europiane.

Me këtë rast, në emër të qeverisë shqiptare përshëndes vendosmërinë, kurajën, vizionin e të dyja palëve, të dy kryeministrave Thaçi dhe Dacic, për arritjen e saj.

Përshëndes Baroneshën Ashton për ndërmjetësimin e aftë, të durueshëm dhe të suksesshëm, si dhe mbështetjen e mikut tonë të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që bënë të mundur këtë arritje historike për Kosovën, Serbinë dhe rajonin tonë”, ka deklaruar Berisha.

Rama: Krenar për Kosovën

Lideri i opozitës shqiptare, Edi Rama ka shprehur “krenarinë” e tij për Kosovën, konkretisht për kontributin e rëndësishëm të saj në bisedimet e ndërmjetësuara nga Brukseli.

Përmes një mesazhi në Twitter për të komentuar arritjen e marrëveshjes, Rama ka vlerësuar edhe “kthesën” e Beogradit në këtë proçes dialogu.

“Krenar për Kosovën, që falë një lidershipi vizionar fitoi luftën dhe paqen me dinjitetin më të madh. Më në fund edhe Serbia bëri gjënë e duhur”, është shprehur Rama. 

Top Channel