Venezuelë, 7 të vdekur në protestat paszgjedhore

17/04/2013 00:00

Të paktën 7 vetë kanë mbetur të vrarë dhe mbi 61 të plagosur në dhunën e përhapur në mbarë Venezuelë, pas zgjedhjeve, raporton media shtetërore gjatë së martës, duke cituar kryeprokurorin venezuelian.

Autoritetet kanë arrestuar 135 persona, si shkaktarë të dhunës politike, raporton gjithashtu agjencia shtetërore e lajmeve AVN.

Raportimet mbi dhunën vijnë vetëm 1 ditë, pasi autoritetet zgjedhore njohën zyrtarisht si fitues pasardhësin e Hugo Chavez-it, të zgjedhur me diferencë shumë të vogël votash si president i vendit, pavarësisht kërkesave të sfiduesit të tij opozitar për rinumërim të votave.

Agjencia qeveritare e lajmeve i lidhi vdekjet me protestat e opozitës dhe tha se viktimat ishin mbështetës të presidentit të sapozgjedhur, Nicolas Maduro. Klinikat shtetërore shëndetësore, qendrat e shpërndarjes së ushqimit, një bankë dhe një qendër e programit parashkollor ishin objektivat e dhunës, sipas zyrtarëve.

CNN nuk mund të konfirmojë në mënyrë të pavarur raportimet qeveritare të dhunës, teksa e paqartë është edhe nëse ka patur ndonjë viktimë apo të plagosur nga radhët e opozitarëve.

Maduro siguroi 50.8% të votave në zgjedhjet e së dielës, ndërsa kandidati opozitar Henrique Capriles Radonski fitoi vetëm 49%, lajm ky i konfirmuar nga Këshilli Kombëtar Zgjedhor.

Që prej shpalljes së rezultateve, si Capriles edhe Maduro nxitën mbështetësit e tyre të qëndronin të qetë, por akuzuan gjithashtu njëri-tjetrin për nxitje të dhunës. Capriles kishte thirrur mbështetësit e tij të protestonin në zyrat qendrore të autoritetit zgjedhor venezuelian në Karakas, gjatë së mërkurës.

Maduro është zotuar të përdorë një grusht të hekurt në luftë kundër fashizmit në vend, si dhe akuzoi kundërshtarët politikë për një grusht shteti. Ai tha se protestat e planifikuara opozitare në Karakas ishin të paligjshme, si dhe akuzoi liderët opozitarë për një komplot, që po masakron popullin e tij. Në fund akuzoi edhe qeverinë.

“Ju nuk do të arrini ta rrëzoni Karakasin dhe ta mbushni atë me gjak e me të vdekur”, tha ai. Ndërsa Capriles, përmes Twitter-it, tha se qeveria ka urdhëruar dhunën, për të shmangur rinumërimin e votave. “Ata janë të vetmit përgjegjës”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA