
Parlamenti i Koresë së Veriut ka miratuar planet për t’i dhënë armëve bërthamore një rëndësi më të madhe, në mbrojtje të vendit.
Lëvizja vjen 1 ditë, pasi Partia e Punëtorëve, në pushtet, bëri thirrje që forca bërthamore “të zgjerohet dhe forcohet nga ana sasiore dhe cilësore”.
Korea e Veriut ka deklaruar se është në “gjendje lufte” me atë të Jugut, duke detyruar Seulin të premtonte “një kundërpërgjigje të ashpër” ndaj agresionit të mundshëm të Veriut.
Veriu është i irrituar me sanksionet e OKB-së pas testeve bërthamore në shkurt. Gjithashtu e pakënaqur me manovrat ushtarake të përbashkëta mes SHBA-ve dhe Koresë së Jugut. Por Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se nuk ka asnjë shenjë, që Korea e Veriut të mbështesë “me veprime retorikën e saj”.
Ndërkohë, Korea e Veriut ka njoftuar emërimin e kryeministrit të ri, Pak Pong-ju. Ai u shkarkua nga i njëjti post në 2007-n.
Asambleja Popullore Supreme e Koresë së Veriut u mblodh të hënën, gjatë një sesioni një ditor të përvitshëm. Ajo u fokusua kryesisht në vendimmarrje ekonomike.
Por, agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA, tha se trupa drejtuese kishte “adoptuar unanimisht një statut, i cili i jep më shumë rëndësi armëve bërthamore, të domosdoshme për mbrojtjen e vendit”.
Në ligj thuhej se armët bërthamore të vendit janë vetëm për “mbrojtje” dhe shërbejnë për qëllimin e “dhënies së goditjeve vdekjeprurëse ndaj fortesave të agresionit, deri sa bota të çarmatoset nga këto armë”.
Top Channel