Korea e Veriut kërcënoi me anullimin e marrëveshjes së armëpushimit me Jugun, që i dha fund Luftës Koreane në vitin 1953, duke cituar nismën amerikane për të vendosur sanksione të gjithëanshme si një akt agresioni që rihap konfliktin.
Korea e Veriut realizoi një testim bërthamor në muajin shkurt, paraprirë nga lëshimi i paautorizuar i një sateliti në hapësirë në dhjetor 2012, veprime që kanë vendosur Penianin në qendër të kritikave dhe sanksioneve ndërkombëtare.
Autoritetet koreanoveriore kërcënuan gjithashtu me ndërprerjen e çdo kontakti me Korenë e Jugut, duke ndërprerë linjat telefonike që ndodhen pranë kufirit ndërshtetëror, në fshatin e Panmunjomit.
Gadishulli Korean u përfshi nga një luftë e përgjakshme 3-vjeçare, në vitet 1950-53, e cila shkaktoi mbi një milionë viktima dhe çoi në formimin e dy shteteve koreane, të ndarë në paralelin 38.
Megjithatë, të dy shtetet firmosën vetëm një armëpushim në fundin e konfliktit dhe jo një paqe që i jepte fund përfundimisht luftës, prandaj të dy vendet janë teknikisht ende në luftë midis tyre.
Këshilli i Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara pritet të mblidhet të martën në selinë e OKB-së në Nju Jork, për të nisur bisedimet mbi sanksionet që do të vendosen mbi Korenë e Veriut.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes në largim, Leon Panetta kërkoi “veprime të menjëhershme” kundër Koresë së Veriut, vetëm dy ditë pas testit të tretë të kryer nga vendi komunist dhe në përgjigje të provokimeve, SHBA dhe Korea e Jugut organizuan një stërvitje të përbashkët ushtarake pranë kufirit koreanoveriore gjatë shkurtit.
Top Channel