Qindra shqiptarë dolën në rrugët e Shkupit për të protestuar kundër dhunës së ushtruar ndaj shqiptarëve nga grupe huliganësh maqedonas të cilët nuk kanë kursyer as fëmijët.

Protesta nisi paqësisht, por të provokuar nga prania e madhe e forcave të policisë, protestuesit nisën të hedhin gurë ndaj tyre. Media shqiptare në Maqedoni thonë se shqiptarët akuzojnë forcat e sigurisë që nuk po bëjnë sa duhet për të mbrojtur jetën e shqiptarëve në Shkup.

Ekstremistët maqedonas protestojnë kundër ndryshimeve të reja në qeveri. Ata kundërshtojnë emërimin e Talat Xhaferrit në krye të Ministrisë së Mbrojtjes pasi sipas tyre ai ka qenë një komandant i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Të enjten grupe maqedonasish protestuan para selisë së kësaj ministrie, ndërkohë që pas kësaj kanë sulmuar në rrugët e kryeqytetit banorët me etni shqiptare. Pre e dhunës së tyre janë bërë edhe të miturit. Dhjetra prej tyre u rrahën nga një grup prej rreth 200 maqedonasish, ndërkohë që dy prej tyre u  shtruan në gjendje të rëndë në spital.

Situata mbeti e tensionuar edhe gjatë së premtes, mbrëmjen e së cilës u regjistruan disa incidente. Si kundërpërgjigje e dhunës ndaj shqiptarëve, organizata dhe udhëheqës shqiptarë të shoqërisë civile në Shkup, bënë thirrje për protestë paqësore ditën e shtunë.

Qindra shqiptarë iu përgjigjen pozitivisht kësaj ftese, ndërkohë që lëvizjet shoqërore dhe partitë politike në vend dënuan dhunën.

Reagime për dhunën ndaj shqiptarëve në Shkup ka patur edhe nga Ministria e Jashtme. Në një komunikatë ky dikaster kërkon dhënien fund të dhunës dhe vendosjen e autorëve përpara drejtësisë.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë konsideron se akti i rrahjes barbare të nxënësve shqiptarë dhe përshkallëzimi i dhunës gjatë ditës së djeshme e të sotme në disa rajone të Shkupit në Republikën e Maqedonisë përbëjnë pamëdyshje jo vetëm akte kriminale të patolerueshëm, por edhe një  tronditje serioze për vlerat themelore të një shoqërie multietinike dhe demokratike. MPJ duke uruar shërim të shpejtë dhe të plotë nxënësve e të rinjve shqiptarë të lënduar dhe duke shprehur solidaritet me familjet e tyre, dënon pa ekuivok dhe me forcë çdo incident e akt dhune. Apelojmë që autoritetet e vendit të ndërmarrin masa të menjëhershme për zbulimin dhe dënimin e autorëve, si dhe të përkujdesën që këto raste mos të përsëritën. Forca e ligjit duhet të veprojë ndaj kujtdo që kryen apo mbështet akte të tilla dhune”, thuhet ndër të tjera në reagimin e MPJ.

Ndaj rasteve të fundit të dhunës kundër shqiptarëve reagoi edhe ish-kryeministri dhe deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko. Majko tha se dhuna ndaj shqiptarëve është një vepër e nazistëve maqedonas. Ai kërkoi vendosjen para drejtësisë së autorëve të saj.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje reagoi për incidentet e fundit ndëretnike në Shkup. Në një komunikatë, kjo lëvizje akuzon kryeministrin maqedonas për dhunën e ushtruar ndaj shqiptarëve.

Berisha: Dënojmë sulmet primitive

Lidhur me dhunën e ushtruar ndaj shqiptarëve ditët e fundit në Shkup ka reaguar edhe kryeministri Sali Berisha. Kryeministri nëpërmjet një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook shkruan:

“Ditet e fundit, grupe ekstremistesh e huliganesh maqedonas kane ndermarre sulme fizike te perseritura, kunder nxenesve dhe te rinjve te etnise shqiptare ne Shkup dhe kane keqtrajtuar dhe plagosur disa prej tyre. Keto sulme primitive, qe ne aparence kane patur si shkak absurd emerimin ne detyren e Ministrit te Mbrojtjes te z.Talat Xhaferi nga BDI, ne perputhje me marreveshjen e koalicionit qeveritar, kane shkaktuar rritjen e metejshme te tensioneve nderetnike dhe demtimin e klimes parazgjedhore ne Maqedoni.

Qeveria shqiptare denon me ashpersi keto sulme primitive ndaj nxenesve dhe te rinjve shqiptare, nga ekstremiste fanatike maqedonas dhe i ben thirrje forcave politike shqiptare dhe shqiptareve te Maqedonise te shmangin provokacionet dhe pershkallezimin e dhunes.

Qeveria shqiptare kerkon nga autoritetet maqedonase te ndeshkojne me te gjithe forcen e ligjit autoret e ketyre akteve primitive, me te cilat ata duan te demtojne rende bashkejetesen nderetnike ne Maqedoni”, thuhet aty.

Reagon Partia Socialiste

Pas ngjarjeve në Shkup ka ardhur një deklarim i kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama. Në këtë deklaratë thuhet se aktet e dhunës barbare e kriminale ndaj të rinjve shqiptarë në Shkup kanë shkaktuar tronditje dhe shqetësim në mbarë opinion shqiptar dhe përshkallëzimi i situatës po ndiqet me vëmendje.

“Partia Socialiste e Shqipërisë shpreh indinjatën e thellë dhe dënon me forcë sulmet me sfond etnik ndaj shqiptarëve në kryeqytetin e Maqedonisë fqinje dhe u  bën thirrje autoriteteve përkatëse të gjejnë shkaktarët dhe autorët e dhunës duke i vënë përgjegjësit para drejtësisë.

PS përsërit qëndrimin e saj të njohur për rëndësinë që ka stabiliteti i Maqedonisë për paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe u bën thirrje të gjithëve, autoriteteve ashtu edhe  faktorit politik shqiptar për vetpërmbajtje dhe zgjidhje të problemeve në frymën e vlerave europiane drejt së cilës synojnë të shkojnë bashkarisht të gjithë vendet e rajonit tonë.

Partia Socialiste shpreh solidaritetin e plotë me të lënduarit dhe familjet e tyre duke ju uruar shërbim të shpejtë dhe kërkon me forcë që t’ju jepet fund veprimeve që frymëzojnë cenimin e bashkëjetesës etnike, frymën e tolerancës dhe të mirëkuptimit në shoqërinë multietnike të Maqedonisë”, thuhet në deklaratë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA