Simpatizantë të Partisë Radikale Serbe, e drejtuar nga nacionalisti Vojisllav Sheshel, kanë parakaluar në bordin e makinave në lagjet me popullsi joserbe në veri të Mitrovicës, në përpjekje për t’i provokuar banorët.

Sipas raportimeve të “RTK”, nacionalistët janë përpjekur të irritojnë banorët, kryesisht ata shqiptarë, duke kënduar këngë me motive radikale, duke valëvitur flamuj partiakë dhe duke mbajtur simbole kundër etnive joserbe.

Serbët e ardhur kanë mbajtur edhe foto të liderit të tyre, Vojisllav Sheshel dhe parulla anti-perëndimore të tipit “10 vjet tirani e Hagës ka shkatërruar Serbinë”.

Gjithashtu, ata kanë bërë thirrje për një pjesëmarrje sa më të madhe në një manifestim që do të mbahet të dielën në Beograd, për të kujtuar 10-vjetorin e arrestimit të tij.

Ndërkohë, disa banorë shqiptarë të lagjes Tre Rrokaqiejtë kanë shprehur shqetësimin e tyre për këtë provokim dhe kanë kërkuar rritjen e pranisë së forcave të sigurisë.

Veriu i Kosovës vazhdon të jetë i tensionuar. Së fundmi, sulmet me granata, që kryesisht kanë si autorë anëtarët e strukturave serbe, janë kthyer në rend të ditës.

Dy ditë më parë, në orët e para të mëngjesit u sulmua banesa e një pjestari të Policisë së Kosovës. Eksplozivi u hodh në oborrin e shtëpisë së pjestarit të policisë, i cili jeton në afërsi të lagjes së boshnjakëve. 

Top Channel