“NYT” nën sulmin e hakersave kinezë

31/01/2013 00:00

Hakersa nga Kina janë infiltruar në sistemet e “Neë York Times” në katër muajt e fundit, ka deklaruar vetë gazeta amerikane.

Ajo thotë se sulmet informatike janë një hakmarrje ndaj lajmeve të saj se, familja e kryeministrit kinez Wen Jiabao ka krijuar një pasuri miliona dollarëshe.

Piratët, sipas gazetës, kanë përdorur metoda si ato të përdorura nga ushtria kineze për të hyrë në postën elektronike. Nga ana tjetër, Ministria kineze e Mbrojtjes i komunikoi gazetës se ligjet e Kinës e konsiderojnë piraterinë informatike ilegale.

Sipas “NYT”, hakersat fillimisht hynë në sistemin e kompjuterave në shtator, kur dhe u publikua lajmi për kryeministrin.

Lajmi në fjalë, që u konsiderua si një “njollosje” nga qeveria kineze, thoshte se familjarët e zotit Wen kishin ngritur pasuri që arrinin në 2.7 miliardë dollarë.

Edhe pse në artikull nuk akuzohej kryeministri, Kina është shumë e ndjeshme ndaj raportimeve për liderët e saj, sidomos kur bëhet fjalë për pasurinë e tyre.

“NYT” deklaroi se sulmi informatik kishte si objektiv kompjuterët e David Barboza, shefi i zyrës së gazetës në Shangai që shkroi artikullin, si dhe të një prej parardhësve të tij në këtë detyrë, Jim Yardley.

Kompania për sigurinë informatike Mandiant, që ishte punësuar nga “NYT” për të gjurmuar sulmin, ndoqi lëvizjet e hakersave për katër muaj, në përpjekje për t’i bllokuar ata.

Top Channel