Marrja nën administrim e CEZ-it

10/01/2013 00:00

Enti Rregullator i Energjisë miratoi rregulloren për procedurat e
emërimit të administratorit që do të menaxhojë sistemin e shpërndarjes
së energjisë pas largimit të kompanisë CEZ, si dhe të drejtat e
detyrimet e tij në raport me shoqërinë dhe ERE-n.

Sipas rregullores me 9 pika, administratori i përzgjedhur duhet të ketë eksperiencë në sektorin e energjisë dhe të mos ketë konflikt interesi me ushtrimin e detyrës. Afati kohor gjatë të cilit do të administrojë sistemin e shpërndarjes është deri në momentin, kur të merret vendim për kalimin e licences tek një tjetër subjekt.
Administratori merr në dorëzim inventarin e kompanisë CEZ, dhjetë ditë pas marrjes së detyrës dhe është i ngarkuar të organizojë punën për menaxhimin e aktivitetit, përfshirë hartimin e një plani për përmirësmin e situatës financiare të kompanisë.

“Brenda 10 ditëve nga dita e emërimit, merr në dorëzim inventarin e aktiveve, pasurisë dhe arkivës së shoqërisë. Ai harton dhe paraqet për miratimin në Entin Rregullator të Energjisë strukturën, si dhe pagat dhe shpërblimet e punonjësve. Gjithashtu merr masat për ruajtjen e aktiveve të shoqërisë, organizimin e punës për menaxhimin e aktivitetit të shoqërisë, ndalon pagesën e dividentëve ose shpërndarjen e kapitalit për aksionerët e shoqërisë, si dhe pagesën e administratorëve të kompanisë nga momenti i marrjes nën administrim. Harton një plan për përmirësimin e situatës financiare, si dhe një plan për shlyerjen e detyrimeve ndaj palëve të treta, plan i cili do të miratohet nga Enti Rregullator i Energjisë”, thotë Eduart Elezi,drejtor Juridik i ERE-s.

Komisionerët e ERE-s kërkuan që mes momentit të heqjes së licencës së kompanisë CEZ dhe marrjes në administrim nga kandidati fitues të mos ketë vakum në menaxhimin e sistemit të shpërndarjes. Për këtë arsye procedura për gjetjen e administratorit nis menjëherë pas miratimit të rregullores, paralel me atë të heqjes së licencës. Kandidatët do të ftohen të marrin pjesë përmes kërkesës për administrator në dy të përditsm për tre ditë.     

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA