Një tjetër monument në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar i shtohet kryeqytetit.
Rreth orës 18:00 është përuruar në Parkun Rinia Monumenti i Pavarësisë. Të pranishëm mes të tjerësh kryeministri Berisha dhe ministri Bumçi.
Monumenti është i përbërë nga dy struktura çeliku, ndërsa veshja e tyre është bërë me kombinim të pllakave të bronzit special. Me anë të djegies me lazer është regjistruar Deklarata e Pavarësisë.
Monumenti mban firmën e arkitektit shqiptar nga Kosova, Visar Obrija dhe arkitektit gjerman Kai Roman Kikla, ka kushtuar rreth 400 mijë euro dhe për shkak të teknikave të avancuara është realizuar në Austri.
Tirana e “pushtuar” nga festa
Të veshur kuqezi apo me kostume kombëtare, qindra qytetarë kanë festuar në rrugët e kryeqytetit 100-vjetorin e Pavarësisë.
Atmosfera festive ka nisur që në orët e para të mëngjesit. Thuajse të pushtuara nga qytetarë me flamuj në duar, të rinj e të reja apo fëmijë të pikturuar kuq e zi kanë qenë sheshi ‘Skënderbej’, rruga përgjatë ‘Bulevardit Dëshmorët e Kombit’ dhe sheshi ‘Nënë Tereza’.
Për të qenë pjesë e festës së madhe të Tiranës, me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, kryeqyteti ka mbledhur qytetarë nga të gjitha qytetet e vendit, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.
Te jesh pjese e nje jubile te tille te jepet fati vetem njehere ndaj dhe te gjithe ndjehen te kenaqur qe jane pjese e 100-vjetorit te Pavaresise. Te gjithe ndjehen te pershkuar nga nje lloj entuziazmi dhe euforie, ku pa dyshim sundojne dozat e krenarise kombetare.
Top Channel