Trupa e Gjykatës Supreme të Kosovës ka aprovuar të martën pjesërisht kërkesën e prokurorit të EULEX-it për kthimin për rigjykim të çështjes “Kleçka”, ku janë të përfshirë deputeti i PDK-së Fatmir Limaj dhe 3 ish-bashkëluftëtarë.

Gjykata ka vendosur që çështja të rihapet, por nuk ka pranuar kërkesën e palës së akuzës që në të të merren parasysh dëshmitë e Agim Zogajt, i njohur ndryshe si “Dëshmitari X”.

Gjithashtu, trupi gjykues ka hedhur poshtë edhe kërkesën tjetër të prokurorit, atë për paraburgimin e Limajt dhe tre ish-bashkëpunëtorëve të tij, Naser Shala dhe Nexhmi e Naser Krasniqi.

Limaj dhe bashkëluftëtarët e tij akuzohen nga prokuroria e misionit evropian për krime lufte të kryera ndaj popullsisë civile në fshatin Kleçkë.

Në proçesin e zhvilluar në shkallën e parë ish-ministri i Transporteve dhe të pandehurit e tjerë u shpallën të pafajshëm nga akuzat e ngritura.

Në seancën e sotme në Gjykatën Supreme u paraqitën vetëm Limaj, Shala dhe vëllezërit Krasniqi, pasi për 6 të tjerët akuza nuk kishte paraqitur ankesë.

Mbrojtja e Limajt dhe e ish-pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së priste që Supremja të rikonfirmonte vendimin e shkallës së parë dhe të mbyllte këtë rast.

“Besoj se kolegji i Gjykatës Supreme do ta refuzojë ankesën e prokurorit, sepse ne kemi ofruar prova të mjaftueshme se kërkesa e prokurorisë është e pabazuar. Ndërsa aktgjykimi i shkallës së parë duhet të merret për bazë”, tha më herët Tahir Rrecaj, avokat i Limajt.

Top Channel