Një prokuror i EULEX-it, nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuza të reja ndaj Fatmir Limajt dhe gjashtë personave të tjerë, për krim të organizuar dhe vepra të tjera penale, të lidhura me korrupsion në të ashtëquajturën çështje të Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunikacionit.

Veprat penale për të cilat ata akuzohen kanë ndodhur gjatë periudhave kohore mes vitit 2008 dhe 2010; ndërsa në lidhje me pastrimin të parave mes vitit 2009 dhe 2012.

Të pandehurit Fatmir Limaj, Florim Lima, Demir Lima, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi, Florim Zuka dhe Gani Zogaj akuzohen, mes tjerash, për manipulimin e proçedurave të tenderave, dhënien dhe marrje rryshfeti dhe pengim të mbledhjes së provave dhe dëshmive në lidhje me tre tendera në MTPT, për përfitime personale apo materiale.

Dëmi ndaj buxhetit të MTPT-së llogaritet të jetë rreth dy milionë euro. Fatmir Limaj akuzohet gjithashtu për mosdeklarimin e parave në kohën që garonte për zgjedhjet komunale të Prishtinës në vitin 2007, si dhe për vepra të tjera penale.

Top Channel