
Një prani e theksuar e agjentëve të policisë në ambientet e Kuvendit të
Kosovës ka bërë që kryetari Jakup Krasniqi të ndërpresë përkohësisht
seancën në shenjë proteste.
Krasniqi ka reaguar i indinjuar ndaj kësaj pranie dhe ka kërkuar largimin e agjentëve, të cilët sipas tij kanë hyrë në ambjentet e institucionit legjislativ pa respektuar rregullat dhe pa i marrë leje atij në cilësinë e kryetarit.
“Kërkoj nga kabineti qeveritar, konkretisht nga Kryeministri dhe ministri i Brendshëm, që të mos i keqpërdorin ata djem dhe vajza, që janë për të mbrojtur demokracinë, për interesa private”, ka thënë Krasniqi.
Kreu i Kuvendit ka thënë se nuk ka informacion të saktë se kush i ka urdhëruar policët që të hyjnë në ambjentet parlamentare, por ka theksuar se një gjë e tillë nuk mund të bëhet pa u zbatuar rregullorja.
“Ky vend nuk ka nevojë për dhunë policore, as për forcë policore e as për shtet policor. Ky vend ka nevojë për drejtësi dhe drejtësinë nuk e bën Bajram Rexhepi, që dëshiron të burgosë edhe presidentin, edhe kryetarin e Parlamentit. Kush ia dha atij këtë të drejtë”, ka deklaruar Krasniqi.
Në rend të ditës në seancën parlamentare do të jetë projekt/rezoluta e propozuar nga PDK për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Partia në pushtet ka shprehur shpresën e saj se rezoluta do të votohet me shumicë votash, ndërsa partia më e madhe e opozitës, LDK, deri dje ka qenë në dilemë.
Ndërkohë, prania policore në Kuvendin e Kosovës vjen një ditë pas protestës së lëvizjes Vetëvendosje kundër proçesit të privatizimit të distributorit të KEK-ut.
Top Channel