Presidenti Nishani flet në OKB

24/09/2012 18:30

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara e ka patur fokusin tek Kosova dhe njohja e saj, duke dhënë edhe një mesazh të fortë për Serbinë.

Zoti Nishani iu referua qëndrimit mohues të krerëve të këtij vendi për të njohur dhe pranuar edhe qëndrimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi pavarësinë e Kosovës.

“Në rajonin tim, atë të Ballkanit, popujt e etnive të ndryshme: shqiptarë, boshnjakë dhe kroatë kanë përjetuar disa nga luftërat më të tmerrshme në emër të nacionalizmit të keqpërdorur. Mendjet shoviniste përligjën ideologjinë e superioritetit të tyre mbi popujt e tjerë duke legjitimuar gjenocidet dhe masakrat që pasuan. Dy dekadat e fundit kanë treguar se nuk është një detyrë e lehtë që ta kthesh këtë faqe në librin e historisë së Ballkanit”, deklaroi Nishani.

“Shkaktarët e këtyre tragjedive dhe gjenocideve natyrisht që nuk mund të jenë në gjendje ta bëjnë këtë gjë vetëm. Ajo që nevojitet është miratimi i të gjithë popujve, por para së gjithash dhe mbi të gjitha, nevojitet miratimi i viktimave që kërkojnë drejtësi. Vërehet me shqetësim se në Ballkan, në vend të kërkesave faljesh të sinqerta për masakrat dhe gjenocidin e shkaktuar, ne na serviren deklarata mohuese dhe mbi të gjitha, deklarata të bëra nga nivelet më të larta”, vijoi presidenti.

Kreu i shtetit u ndal gjithashtu tek fakti se shteti shqiptar, përveç se një mbështetës i fortë i mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe luftës së popujve për liri, nga Siria në Mianmar, ka një pozicion të qartë në raport edhe me drejtësinë.

“Shqipëria mbetet një partner vërtet i përkushtuar ndaj promovimit të drejtësisë, mbajtjes së përgjegjësisë dhe tepër e vendosur për ndëshkueshmërinë e çdo krimi të kryer. Në këtë drejtim, Shqipëria mbështet me gjithë zemër parimin e juridiksionit mbarëbotëror, sepse ne besojmë që ai është një mekanizëm i rëndësishëm për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për promovimin e përgjegjshmërisë”, theksoi më tej Nishani.

Top Channel