“Isaac”, mijëra të zhvendosur

30/08/2012 00:00

Forcat e emergjencës nisën shpërnguljen e mijëra personave në perëndim të New Orleans, jeta e të cilëve është në rrezik serioz për shkak të përmbytjeve të mëdha që kanë përfshirë zonën.

Të paktën 3 mijë persona janë zhvendosur nga zonat e rrezikut, ndërkohë që presidenti Obama firmosi dekretin që shpall gjendjen e “katastrofës kombëtare” për shtetet e Luizianës dhe Misisipit. Ky hap përkthehet në lëvrimin e miliona dollarëve fonde për rimëkëmbjen e zonave të goditura nga uragani “Isaac”, i pasuar nga reshje të dendura shiu e erëra të forta.

Dëmet materiale janë të pallogaritshme, ndërsa për momentin forcat e emergjencës dhe grupet e shpëtimit janë përqendruar në shmangien e tragjedive njerëzore, ndëras mbi 800 mijë banorë vuajnë mungesën e energjisë në Luiziana, Misisipi, Arkansas dhe Teksas.

“Vazhdojmë të zhvendosim njerëz në disa zona të ndryshme të përmbytura. Ka zona ku uji ka mbuluar rrugët dhe shtëpitë dhe objektivi ynë kryesor në këto momente është të nxjerrim njerëzit nga këto zona”, thonë për CNN zyrtarët amerikanë.

“Isaac” u shndërrua në uragan në momentin e përplasjes me brigjet amerikane, pikërisht në 7 vjetorin e uraganit “Catherine” që shkaktoi 1800 viktima dhe thuajse shkatërroi New Orleans.

Ndërkohë, qëndra e vëzhgimit të uraganëve në Majemi lajmëroi se stuhia tropikale “Ileana” u shndërrua në uragan të katëgorisë së parë dhe ndodhet 54 kilometra në jug-lindje të brigjeve amerikane. Autoritetet njoftojnë se “Ileana” nuk përbën asnjë kërcënim.

Top Channel