Do të rifillojë më 25 qershor në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës proçesi ndaj ish-komandantit të serbëve të Bosnjes, Ratko Mlladiç.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, në seancën e kësaj date do të dëgjohen dëshmitarët e parë, të cilët në tërësi janë rreth 400.
Ish-gjenerali Mlladiç akuzohet për një sërë veprash të rënda penale si krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe genocid, të konsumuara kryesisht me masakrën e Srebrenicës.
Proçesi ndaj tij nisi në Hagë më 16 maj, por u ndërpre pas seancës së parë për shkak të një gabimi të bërë nga prokuroria në paraqitjen e provave.
Akuza nuk i kishte dorëzuar disa dëshmi mbrojtjes së Mlladiç, ndërkohë që këtë duhet ta bënte ligjërisht. Sipas rregullave në fuqi, mbrojtja duhet të ketë të drejtën të studiojë provat e prokurorisë para fillimit të gjykimit.
Nga ana e tij, Mlladiç i ka hedhur disa herë poshtë akuzat duke i cilësuar ato si të pabaza. Por nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me burgim të përjetshëm.
Në seancën e fundit gjyqësore u transmetuan disa video të cilat tregonin Mlladiç teksa koordinonte masakrën e Srebrenicës dhe më pas hyrjen e tij si triumfator në qytet, duke përshëndetur e vlerësuar ushtarët serbë.
Top Channel