Dashuria e shkodranes me serbin

03/04/2012 20:00

Në kohën e sotme, 13 vjet pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, martesat shqiptaro-serbe mbeten temë tabu në shoqërinë kosovare.

Teksa ende mungon komunikimi i përditshëm, shkollimi i përbashkët dhe jetesa normale ndërmjet dy komuniteteve, mbase nuk mund të futet as në rend dite çështja e krijimit të një familjeje ndërmjet këtyre dy popujve.

Vite më parë Top Channel realizoi një dokumentar me titull “Në shtrat me armikun”. Ky dokumentar tregonte për martesat e shumta të vajzave shqiptare nga Shqipëria me serbë nga Kosova.

Në fshatin Syrigaj të komunës së Skënderajt jeton familja e Bozhidar Tomashevic. Familja është shtuar me dy fëmijë dhe i treti është në pritje.

“Jeta është njësoj si në Shqipëri. Ka shumë pak ndryshime. Shqiptarët janë më fanatikë, ndërsa serbët kanë mentalitet tjetër”, deklaron shqiptarja.

Gruaja shkodrane i flet fëmijëve në gjuhën serbe të cilën e ka përvetësuar tashmë, por nuk ka harruar që edhe bashkëshortit t’i mësojë shqip.

“Jam mirë me shqipen. Di të komunikoj mirë edhe pse nuk flas shpejt”, thotë burri serb.

Fatjona thekson se ka gjetur lumturinë në familjen serbe: “Nuk e kam pasur problem historinë e popujve dhe as familja ime. E rëndësishme është të kaloj jetën mirë me të sepse sot nuk ka rëndësi se e merr burrin italian, grek, serb etj.”

Top Channel