Policia e Kosovës ka arrestuar 4 serbë të komunës
paralele të Vitisë, të cilët po transferonin material zgjedhor, qe do të
përdorej për zgjedhjet ilegale të Serbisë në Kosovë.

Arrestimet jane kryer në vendkalimin kufitar ‘Dheu i Bardhë’, në rajonin e Gjilanit dhe sipas mediave serbe personat e arrestuar janë Srecko Spasiç, i cili veten e quan kryetar i komunes se Vitisë, dhe Svetozar Naskovic nga Koretini i Gjilanit, Aleksandar Soilkovic nga Kllokoti dhe Ivica Nojkic nga Mogilla e Vitisë.

Të gjithë të arrestuarve u është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh. Pak orë pas arrestimeve kreu i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur në mbledhjen e kabinetit të tij, duke thënë se pretendimi i Serbisë i vlerësuar si agresion mbi Republikën e Kosovës për të mbajtur zgjedhje në Kosovë do të dështoje në tërësi.

“Vazhdojmë të jemi të vendosur që duke u përgatitur për çdo eventualitet do të përdoret i gjithë autoriteti kushtetues dhe ligjor. Pra, forca kushtetuese dhe ligjore që të mos lejohet Serbia të interferojë në çështjet e brendshme të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri.
 
Ndërsa, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, i pyetur nëse do të ketë arrestime të tjera, zëvëndëskryeministri i Kosovës ka thënë se në cilëndo pjesë të territorit të Kosovës dhe aty ku ka mundësi Policia e Kosovës do të kryejë veprime të tilla.

“Ju e dini qeveria e Kosovës i ka shpallur ilegale ato zgjedhje, natyrisht organizatorët e tyre apo tentuesit për organizim do të trajtohen për veprimet e tyre ilegale sipas ligjit edhe trajtimi i tillë është sipas prokurorisë dhe gjyqësorit, por e kanë mandatin e plotë të i trajtojnë si veprime ilegale. Kudo që ata takohen në cilën do pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. në veri jemi të sfiduar më shumë se sa në pjesët e tjera, por kur ka mundësi Policia e Kosovës, EULEX-i e kanë mandatin për veprime tilla”, tha Kuqi.

Javë më parë Serbia ka shpallur mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare në Kosovë në javën e parë të majit, por kjo është kundërshtuar nga institucionet e Kosovës dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian.

Arrestimet, Beogradi: Masa reciproke

Beogradi zyrtar ka reaguar ndaj arrestimit të katër serbëve nga Polcia e Kosovës, duke e cilësuar veprimin si shembull tipik të “paturpësisë dhe presionit” që po bëhet mbi komunitetin serb.

Në një deklaratë për mediat, ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç ka paralajmëruar me aplikimin e masave reciproke.

“Nëse dikush dëshiron të bëjë garë, kemi edhe ne përgjigjen tonë. Është e turpshme se çfarë toleron komuniteti ndërkombëtar, është turp të arrestohen njerëz që nuk kanë bërë asnjë vepër penale dhe tani shtrohet pyetja se si janë duke u zbatuar marrëveshjet e arritura”, ka thënë Daçiç.

Pjesë të këtyre masave mediat kosovare kanë cilësuar arrestimin e dy shqiptarëve mëngjesin e sotëm në pikën kufitare të Dheut të Bardhë, mes Kosovës dhe Serbisë.

Në pranga përfunduan Hasan Abazi, kryetar i Sindikatës së Industrialistëve të Kosovës, i cili po nisej për në Kroaci, dhe Adem Murseli.

Vetë Daçiç ka saktësuar se Abazi u arrestua në bazë të një fletë-arresti për spiunazh të lëshuar nga gjykata e qarkut në Gjilan, ndërsa Murseli në bazë të një urdhëri të lëshuar nga prokuroria e Beogradit për trafik droge. 

Top Channel