29 antarë të supozuar të Al-Kaedës mbetën të vrarë ditën e enjte në përballje me trupat qeveritare jemenase, bënë të ditur burime zyrtare.
Përballja ndodhi në rajonin e Zinjibarit, kryeqendër e provincës së Abjanës, në jug të vendit më të varfër të botës arabe.
Sipas deklaratës së Sana’a zyrtare, një bazë militantësh ishte zbuluar dhe një sulm me artileri dhe me mbështetjen e flotës u realizua “me sukses të plotë”. Gjatë aksionit, u konfirmua vrasja e 29 pjestarëve të supozuar të al-Kaedës dhe një numri të paqartë trupash qeveritare.
Zinjinbari u pushtua në fund të shkurtit nga ana e një grupimi të qujatur “Partizanët e Sharias”, një organizatë e konsideruar si një degëzim i al-Kaedës.
Jemeni, një shtet me 24 milionë banorë, u përfshi dhunshëm në Pranverën Arabe, që solli largimin e presidentit Saleh pas 32 vitesh në pushtet. Aktualisht, vendi përballet me një vakum pushteti, një krizë të thellë ekonomike si dhe lëvizje separatiste dhe terroriste.
Top Channel