Talebanët në Afganistan kanë ndërprerë bisedimet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për hapjen e një zyre përfaqësimi në Katar.
Një zëdhënës i militantëve islamikë lajmëroi për vendimin ditën e enjte. Uashingtoni ishte përpjekur që të krijonte këtë zyrë për të lehtësuar dialogun me talebanët, por një seri skandalesh në javët e fundit, që përfshijnë djegien e Kuranit në një bazë amerikane dhe vrasjen e 16 civilëve nga një ushtar në një sulm të pashpjeguar, dëmtuan rëndë marrëdhëniet në lindje dypalëshe.
Ndërkohë, Presidenti Hamid Karzai i bëri thirrje forcave të NATO-s që të largohen nga fshatrat dhe zonat rurale afgane, në një prej të cilëve ndodhi edhe sulmi i javës së shkuar.
Në deklaratën e tyre, militantët justifikonin ndërprerjen e bisedimeve me “mungesën e argumentave dhe dëshirës për t’u përkushtuar në një dialog të qënësishëm nga ana e amerikanëve”.
Sipas korrespondentit të BBC-së në Afganistan, është ende e paqartë se çfarë do të ndodhë me një marrëveshje të fshehtë, për shkëmbimin e pesë talebanëve të mbajtur të burgosur në Guantanamo, me një ushtar amerikan të marrë peng.
Top Channel