Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në mbledhjen e qeverisë komentoi planet serbe për të mbajtur zgjedhjet, si ato lokale, ashtu edhe ato të përgjithshme edhe në Kosovë.

Kryeministri kosovar tha se pretendimet e Beogradit bien ndesh me ligjet e Kosovës, normat me të cilat është shpallur pavarësia e Kosovës si dhe me vetë rezolutën 12-44.

“Ky pretendim është në kundërshtim me ligjet e Kosovës, me rezolutën 1244 dhe normat e  tjera mbi të cilat është shpallur pavarësia e Kosovës. Qeveria e respekton parimin e dyshtetësisë, por qeveria e Kosovës e vlerëson si pretendim për agresion ndaj Kosovës e që bie ndesh me vlerat europiane”, tha kryeministri Thaçi.

Por si do t’i kundërshtojë qeveria e Prishtinës zgjedhjet serbe në territorin e Republikës së Kosovës, apo ato do të mjaftohet vetëm me deklarata? Për këtë kryeministri Thaçi, pasi vlerësoi se Serbia me këto pretendime provokon konflikt të hapur me shtetin e Kosovës që mund të ketë pasojë për gjithë rajonin, tha se do të përdoren të gjitha mekanizmat ligjorë e kushtetues në bashkëpunim me ndërkombëtarët për parandalimin e tyre.

“Qeveria do të përdorë mekanizmat ligjore që ky pretendim të mos realizohet në Kosovë as për zgjedhjet lokale e as për zgjedhjet e përgjithshme. Serbia po provokon konflikt të hapur me shtetin e Kosovës që mund të ketë pasoja për rajonin dhe si përgjigje ne do të përdorim të gjitha mekanizmat kushtetutes”, u shpreh Thaçi.

Kuçi: Nuk ka axhendë për veriun

Qeveria e Kosovës këmbëngul se nuk do të ketë zgjidhje tjetër për veriun e vendit, përveç asaj që parashihet në pakon e Ahtisarit. Madje, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi arsyeton kryeministrin Thaçi, i cili e anashkaloi tërësisht këtë, duke thënë se veriu nuk është fare temë.

Kjo, edhe pas zërave të fundit të zyrtarëve europianë, se veriu duhet të përfshihet në proçesin e dialogut Prishtinë-Beograd. Kuçi konfirmoi se më 27 mars do të vijë për vizitë në Prishtinë komisioneri evropian për Zgjerimin, Shtefan Fyle, por sipas tij kjo nuk ndërlidhet me krijimin e ndonjë axhende për veriun.

“Zoti Fyle ka konfirmuar gjatë takimit me kryeministrin në Bruksel se do vijë më 27 mars dhe se do ketë bisedime për axhendën evropiane. Kur të kemi çështjen e serbëve, nuk mund të kemi zgjidhje me dy standarte. Për serbët që janë diku një zgjidhje dhe për ata diku tjetër një zgjidhje tjetër. Kushdo që mendon një zgjidhje për veriun e Kosovës duhet të mendojë një zgjidhje për komplet serbët e Kosovës”, deklaroi Kuçi.

Në fakt, veriu i Kosovës që nga pas lufta është tërësisht jashtë kontrollit të autoriteteve kosovare. Vitin që shkoi kjo u demonstrua edhe fizikisht me vendosjen e barrikadave, duke pamundësuar kështu komunikimin e jugut me veriun.

Nga ana tjetër, qeveria e Kosovës në përpjekje për të shtrirë autoritetin edhe në këtë pjesë ka arritur që falë një marrëveshjeje me EULEX-in të dërgoje çdo ditë policë e doganierë kosovarë me helikopterë në dy pikat kufitare 1 dhe 31.

Londra: Jo zgjedhje serbe në Kosovë

Mbretëria e Bashkuar ka dalë kundër mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, duke deklaruar se një gjë e tillë përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Reagimi ka ardhur nga sekretari britanik për Evropën, David Lidington përmes një deklarate të publikuar në faqen zyrtare të internetit të dikasterit të tij.

“Mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në territorin e Kosovës do të ishte në kundërshtim më ligjin ndërkombëtar. Ne mirëpresim synimin e Serbisë për t’u konsultuar me institucionet ndërkombëtare përsa i përket kësaj çështjeje”, ka deklaruar Lidington.

Zyrtari i lartë britanik ka vlerësuar gjithashtu deklaratën e kryetares së Kuvendit të Serbisë se, mbajtja e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale më 6 maj duhet të jetë në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të Serbisë.

Gjermania: Zgjedhjet, ndesh me rezolutën 1244

Vlerësim të njëjtë ka bërë edhe i ngarkuari me punë i ambasadës gjermane në Prishtinë, Mathias Kiesler, i cili ka deklaruar se mbajtja e zgjedhjeve përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

“Ambasada gjermane përshëndet paralajmërimin e kryetares së Parlamentit dhe presidentit serb, që zgjedhjet e planifikuara për t’u mbajtur më 6 maj, duhet të jenë në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të Serbisë”, ka thënë Kiesler.

Madje, ka shtuar diplomati gjerman, mbajtja e zgjedhjeve serbe në territorin kosovar është një veprim që shkel edhe parimet e rezolutës 1244, nga e cila vetë Serbia nuk heq dorë.

MPJ: Zgjedhjet serbe në Kosovë të paligjshme

Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se vendimi i Beogradit për të mbajtur zgjedhjet edhe në  disa komuna të Republikës së Kosovës është i paligjshëm dhe i të papranueshëm,  pasi  cënon integritetin e një vendi fqinj sovran.

“Përpjekjet serbe për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës janë në kundërshtim të plotë me frymën dhe përmbajtjen e deritanishme të bisedimeve mes dy vendeve, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, ku Serbia kërkon të integrohet”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme.

Institucioni i lartë shqiptar, duke i konsideruar si të paligjshme, thekson se këto zgjedhje nuk do të kenë asnjë efekt juridik, personat e zgjedhur nuk do të kenë autoritet ligjor.

“I vetmi efekt që këto zgjedhje sjellin  është forcimi i strukturave paralele kriminale serbe në veri të Kosovës, çmontimi i të cilave është detyrim i Republikës së Serbisë. Këto zgjedhje gjithashtu cënojnë perspektivën e integrimit të plotë të komuniteteve etnike në institucionet dhe shoqërinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

Hakersat kosovarë sulmojnë faqet serbe

Hakersa nga Kosova kanë reaguar ndaj njoftimit të Beogradit për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin kosovar, duke sulmuar një faqe interneti serbe, ku publikohen informacione mbi zgjedhjet në Serbi.

Në mesazhin e postuar në gjuhën angleze në faqen www.izbori.org.rs thuhet: “faqet e internetit të Serbisë janë shënjestër e grupit “Shqiponjat në Aksion” dhe aksionet tona nuk do të ndalen”.

Gjithësesi, web site i sulmuar nga piratët informatikë nuk është faqe zyrtare e Komisionit Zgjedhor të Serbisë.

Serbia shpall zgjedhjet edhe në Kosovë

Serbia ka shpallur mbajtjen e zgjedhjeve edhe në Kosovë. Në ditën kur janë shpallur zgjedhjet parlamentare dhe lokale, kryetarja e kuvendit, Sllavica Gjukic-Djenaovic, ka thënë se zgjedhjet nuk do të mbahen në Pejë, Prishtinë, Mitrovicë, Leposavic dhe Novobërd apo në 17 qytete të Serbisë, ku janë mbajtur zgjedhje të jashtëzakonshme lokale.

Por, kryetarja e kuvendit ka lënë mundësinë e konsultimit me UNMIK-un, sic ka thënë për zgjedhjet në Kosovë dhe për të respektuar përveç kushtetutës së shtetit edhe rezolutën 1244.

Ndërsa nga ana tjetër presidenti, Boris Tadic, i cili i pari ka shpallur zgjedhjet parlamentare, ka theksuar se këto zgjedhje kanë të bëjnë me qëllimet e Serbisë dhe me dëshminë se Serbia është një vend i lirive dhe demokracisë.

Njëkohësisht është spekuluar se vet presidenti, Boris Tadic, mund të japë dorëheqjen dhe të shkohet në zgjedhje presidenciale, por për këtë ka ende kohë.

Kuvendi i Serbisë ka 250 deputetet, kurse këto zgjedhje vijnë në atmosferën kur Serbia ka fituar statusin e kandidatit për në BashkiminEuropian, por edhe në kohën e krizave të mëdha dhe mungesën e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve dhe do të jetë një test i rëndësishëm për vetështetin serb. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA