Një operacion antidrogë në qendër të qytetit bregdetar të Durrësit është shoqëruar me të shtëna armësh dhe ndalimin e kriminelit gjatë një tentative për t’i shpëtuar policisë.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së premtes, ku një sasi lënde narkotike prej disa kilogramësh e llojit heroinë është sekuestruar brenda një automjeti, ndërkohë që poseduesi i saj është kapur pasi i ka bërë rezistencë forcave të policisë.
Agjentët e antidrogës së Durrësit, të mbështetur në këtë operacion edhe nga forcat speciale të policisë të ardhura nga Tirana, kanë arritur ta bllokojnë dhe arrestojnë të riun me banim në Durrës, që ka tentuar të largohet përgjatë shkallëve që lidhin fillimin e Rrugës së Tregtarëve, pranë bashkisë, me Amfiteatrin Antik, duke braktisur në rrugë makinën me mallin.
Nga të dhënat e para mësohet se operacioni është organizuar mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative për një sasi të konsiderueshme lënde narkotike që do të lëvizte në qytet.
Paraprakisht deklarohet se sasia e sekuestruar e heroinës mund të jetë rreth 6-7 kg drogë, që dyshohet se do të trafikohej drejt Italisë. Nëse do të hidhej në treg zotëruesit e saj do të siguronin një vlerë prej të paktën 350 mijë eurosh.
Pak ditë më parë në Bari të Italisë u arrestuan dy të rinj shqiptarë, pjestarë të ekuipazhit të tragetit të linjës Durrës-Bari, me një sasi prej 2 kg lëndë narkotike të llojit heroinë, të cilat po i nxirrnin jashtë portit barez të fshehura poshtë xhupave dimërorë.
Raporti i fundit i Departamentit amerikan të Shtetit për trafikun e narkotikëve, i publikuar të premten, për vendin tonë kishte përcaktimin e zakonshëm: Shqipëria mbetet vend tranzit i drogës për në Europën Perëndimore.
Top Channel