Megjithëse këmbënguli deri në fund për cilësimin si vepër penale atë të falsifikimit të dokumentave të zyrtare të statistikave, kërkesë që nuk u pranua nga mazhoranca, opozita dha konsensusin e saj për Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.
Pas shumë orë debatesh, depuetetët e mazhorancës dhe opozitës me 126 vota pro kanë votuar ndryshimet në Kodin Penal.
Të dyja palët kanë mbrojtur në parlament qëndrimet e shprehura në Komisionin e Ligjeve për ndryshimin e nenit në Kodin Penal për dënimin me burg të zyrtarëve nëse ata falsifikojnë statistikat.
Kjo kërkesë e socialistëve është komentuar nga deputetët demokratë si një arsye bllokimi të proceseve integruese. Por opozita ka këmbëngulur se ka qenë pikërisht ajo që ka shkruar dhe miratuar shumicën e ndryshimeve dhe ka nënvizuar vullnetin e saj për kalimin e kodeve me konsensus.
Kryetarët e dy grupeve parlamentare, respektivisht Gramoz Ruçi dhe Astrit Patozi kanë komentuar qendrimet e tyre, duke përfshirë në diskutim edhe çështjet e integrimit.
Gramoz Ruçi, kryetar i Grupit Parlamentar të PS: Sigurisht, sot debati duhet të ishte një gjë tjetër dhe jo thjesht miratimi apo mosmiratimi i një neni thjesht për ata që falsifikojnë të dhënat zyrtare. Megjithatë mazhoranca e përqendroi këtu duke mos dhënë dakordësinë e saj, dhe jo vetëm dakordësinë e saj, por duke mos negociuar me opozitën për të gjetur me opozitën një zgjidhje të përbashkët. Pra u provua se ju u mungon vullneti për të dënuar falsifikatorët e statistikave se u duhen për të mbuluar të vërtetën, u mungon vullneti politik se u duhet përsëri falsifikimi për të fshehur grupën ku është zhytur ekonomia shqiptare.
Astrit Patozi, kryetari i Grupit Parlamentar të PD: Problemi juaj nuk është tek profesionalizmi i anëtarëve të Komisionit të Ligjeve apo të përfaqësuesve tuaj në Komisionin e Reformës Zgjedhor apo në Grupin e Punës për ndryshimin e rregullores. Problemi juaj është tek telekomanda e cila ju thotë bajonetë shpo apo qetësohu. Zoti Ruçi, unë po ju pyes nëse keni marrë komandën bajonetë shpo apo komandën qetësohu. Qendrimin tonë e kemi bërë të ditur për mëse 3 vjetësh: ne jemi për reformat e integrimit.
Miratimi në minutë të fundit të këtyre ndryshimeve që kërkonte 3/5-at e votave duket si një sinjal pozitiv për kapërcimin e asaj që u pa si një krizë e re në politikën shqiptare. Sfida tjetër e politikës shqiptare mbetet reforma zgjedhore dhe ajo parlamentare.
Kuvendi zgjati gjithashtu edhe mandatin e Komisionit të Reformës Zgjedhore deri në datën 30 prill, ndërkohë që sipas marrëveshjes së muajit nëntor, mes PD dhe PS, ky komision duhej të kishte përfunduar punën më 1 mars.
Top Channel