Shira të rrëmbyeshme kanë shkaktuar përmbytje në shtetin australian Nju South Uells dhe kanë çuar në evakuimin e banorëve në disa zona.
Zona të mëdha të shtetit u përmbytën gjithashtu, ndërsa të tjera janë nën kërcënim për t’u përmbytur, bëjnë të ditur mediat lokale.
Shirat janë shkaktuar nga lëvizja e sistemit të motit përtej jugut dhe zonave qendrore të shtetit. Rrugë të shumta janë mbyllur dhe një port në perëndim të Sidnejit është gjithashtu në rrezik.
“Në Nju South Uells situata është shumë serioze, rreth 75 për qind e shtetit është e prekur nga përmbytjet ose e përmbytur”, ka deklaruar një zëdhënës i emergjencave civile.
“Shiu i rrëmbyeshëm ka qenë një eveniment i jashtëzakonshëm pasi ne rrallë herë shohim reshje të këtyre përmasave në këtë pjesë të shtetit”, ka shtuar ai.
Gazeta “The Age” raporton se Kanberra është prekur nga 53 milimetra shi në 24 orë, krahasuar me një mesatare mujore prej 50.7 milimetrash.
Evakuimet janë urdhëruar në të paktën katër zona të Nju South Uellsit, përfshirë Kumën, ku dy përronj janë në prag të tejmbushjes dhe vërshimit.
Stacioni Meteorologjik ka deklaruar se disa zona në këtë shtet mund të përfshihen nga 100 milimetra shi gjatë ditës së enjte dhe ka paralajmëruar përmbytje të reja në ditët e ardhshme.
Pjesët veriore të shtetit dhe zonat jugore në Kuinslend u prekën gjithashtu nga reshjet dhe përmbytjet muajin e kaluar.
Top Channel