Dialogu i Brukselit solli frytet e para. Këshilli i ministrave të Jashtëm të BE-së zhvilloi një debat pozitiv për t’i dhënë statusin kandidat Serbisë, vendim që kalon të martën nga Këshilli i çështjeve të përgjithshme.
Pasi lavdëroi presidentin serb Tadiç dhe kryeministrin kosovar Thaçi, shefja e diplomacisë europiane Catherine Ashton u tregua e paqartë në premtimet për Kosovën, kur u pyet se a do të mundet vendi të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me 27 vendet e BE-së, njësoj si me të gjitha vendet e tjera të rajonit.
“Ka disa hapa të ndryshëm gjatë rrugës dhe ajo çfarë Komisioni popropozon quhet Studim Fizibiliteti, që është pjesa e parë fare, e cila sheh nëse ke potencialin për të pasur një Marrëveshje Stabilizim-Ascoiimi. Kjo nuk do të thotë se do të ndodhë, dhe as se nuk do të ndodhë. Këtë do të na e thotë Studimi i Fizibilitetit”, deklaroi Ashton.
E pyetur dy herë se a do të ketë Kosova fuqi nënshkruese me 27 vendet e BE-së si shtet sovran pas Studimit të Fizibilitetit, Ashton tha se çdo gjë do të bëhet hap pas hapi, në fillim studimi nëse vendi është i aftë, pastaj do të shihet për hapat e tjerë.
“Ju thashë se jemi në fillim fare të proçesit dhe nesër, gjatë mbledhjes së Këshillit të çështjeve të përgjithshme, do të ketë një diskutim për Serbinë dhe pastaj do të shohim dhe marrjen në konsideratë të Kosovës, pasi janë dy diskutime të ndryshme”, tha Ashton.
“Nuk dua të parashikoj konkluzione të takimit, por ajo që mund të them është që Komisioni është shumë i gatshëm për të lëvizur përpara me Studimin e Fizibilitetit dhe siç e ka thënë, do ta bëjë një gjë të tillë. Dhe pastaj do të shohim cilat do të jenë rezultatet dhe nëse ato do ta çojnë Kosovën drejt hapave të mëtejshëm”, nënvizoi shefja e diplomacisë evropiane.
Ashton mbajti edhe një konferencë të veçantë për shtyp me presidentin e Serbisë, Boris Tadiç në Bruksel, ndërsa gjatë javës pritet të takohet edhe me zyrtarë të lartë nga Kosova.
Top Channel