Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton vlerësoi marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, e cila sipas saj po e çon Prishtinën më pranë integrimit.
 

 

Duke folur nga Tunizia, për “Zërin e Amerikes”, Clinton ndaloi edhe te cështja aq e debatueshme “Fusnotë”, shënimi që i referohet Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale.

“Mos harroni ju lutem se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, në fakt hapi rrugën për pavarësinë e Kosovës. Ajo i kërkoi Serbisë të heqë forcat e sigurisë. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shqyrtoi me kujdes 1244-n, dhe tërë bota e di përfundimin me të cilin ne jemi plotësisht dakord se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkel Rezolutën 1244. Kështu që unë në fakt mendoj se ky është një vendim shumë i zgjuar dhe shumë i guximshëm nga ana e qeverisë, sepse ai do ta çojë Kosovën më afër Europës, dhe kjo do të rrisë numrin e vendeve që do ta njohin atë”, tha Clinton.

Pyetjes nëse ekziston nevoja e disa masave mbrojtëse ndaj kushteve që Serbia mund të vërë në të ardhmen për të mos lejuar anëtarësimin e Kosovës në BE, Clinton thotë se po i afrohet gjithnjë e më shumë anëtarësimit duke iu referuar marrëveshjes së arritur në Bruksel.

“Dhe kjo e forcon më tej statusin e saj si vend i pavarur. Kosova tani do të ulet në tryezë si një partnere e barabartë dhe do të mund të flasë me zërin e saj”, vijoi Sekretarja Clinton.
Për mosnjohjen e Kosovës nga pesë vende europiane, Clinton tha se kjo do të kërkojë kohë.

“Besoj se duke qenë në gjendje që Kosova të ulet në tryezë me këto vende, të marrë pjesë në ngjarjet dhe forumet rajonale, kjo i rrit gjasat për njohje”, tha ajo.

Në një konferencë shtypi në Tunizi Sekretarja Amerikane e Shtetit Clinton falenderoi BE-në për afrimin e dy vendeve duke nënvizuar perspektivën e tyre e të përbashkët europiane.

Londra mbështet marrëveshjen Kosovë-Serbi

Shefi i diplomacisë britanike, William Hague mbështet marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“Unë e përshëndes njoftimin për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Sërbisë për bashkëpunimin rajonal dhe zbatimin e një menaxhimi të integruar të kufirit të tyre të përbashkët.

Po ashtu mirëpres edhe propozimin e Komisionit, thekson William Hague për fillimin e studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen e  Stabilizim-Asociimit mes Kosovës dhe BE-së.

Shefi i diplomacisë britanike ka përshëndetur presidentin serb Tadic dhe kryeministrin Thaci për gatishmërinë e tyre për të lënë mënjanë sfidat e së shkuarës dhe për kurajon e treguar për arritjen e këtyre marrëveshjeve.

Sipas Hague ato janë vendimtare për të garantuar që Serbia dhe Kosova të dyja të vazhdojnë progresin e tyre drejt anëtarësimit të ardhshëm në Bashkimin Europian.

Në deklaratën e Foreign Office theksohet se Britania e Madhe mbetet një mbështetëse e fuqishme e zgjerimit të BE-së e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kryediplomati britanik William Hague i kërkon Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Kjo arritje e fundit, angazhimi i vazhdueshëm për dialog do të nxisë bashkëpunimin, përmirësojë jetën e qytetarëve të tyre dhe do të garantojë që të dyja vendet të vazhdojnë fuqishëm në rrugën e një të ardhme më të qendrueshme dhe më të begatë, theksohet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme britanike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA