Siri, vriten dy gazetarë perëndimorë

22/02/2012 00:00

Dy gazetarë perëndimorë humbën jetën në qytetin e Homsit, në Siri.

Megjithëse raportimi nuk gjen ende një konfirmim, aktivistët thonë se një gazetar amerikan dhe një francez gjetën vdekjen pasi një predhë goditi një qendër të improvizuar të medias në zonën e Baba Amërit, e cila u vu në shenjestër të ushtrisë siriane.

BBC raporton se përveç tyre pati disa viktima dhe të plagosur. Të martën mbi 100 persona humbën jetën në të gjithë vendin, mbi 40 në qytetin e Homsit.

Video e publikuar në internet nga aktivistet në Idlib tregon se kundërshtarët e presidentit Bashar Al Asad ishin viktima të ekzekutimeve masive.

Aty shihen banorët e fshatit Abdita, që shikojnë të tronditur trupat e pajetë, të qëlluar me plumba në kokë, ndërsa duart i kishin të lidhura.

Bisedime Rusi-Arabi për Sirinë

Situata në Siri ishte tema e një bisede telefonike mes kryeministrit rus, Vladimir Putin dhe mbretit të Arabisë Saudite, Abdullah.

Sipas njoftimit të familjes mbretërore saudite, kryeministri Putin i ka sqaruar Riadit zyrtar këndvështrimin e Moskës për situatën që po kalon Siria. Të njëjtat burime thonë se Putin ka bërë një hap pas teksa ka deklaruar se cdo lloj dialogu i nisur tashmë është i kotë, pasi situata ka dalë nga kontrolli.

Ndërkohë, mbreti saudit nga ana e tij ka shprehur keqardhjen për veton ruse në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ndaj rezolutës së Ligës Arabe. Mbreti Abdullah tha se Rusia duhej të ishte konsultuar me Ligën Arabe para vendimit për veto.

Lavrov: Dramë që dënohet me ashpërsi

Rusia është shprehur shumë e shqetësuar për vdekjen e dy gazetarëve perëndimorë ditën e martë në Homs të Sirisë.

“Bëhet fjalë për një dramë që dënohet me ashpërsi, sepse nuk është hera e parë që korrespondentë të huaj vriten”, ka deklaruar ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian do të njoftojë të hënën e ardhshme në Këshillin e Jashtëm sanksione të reja kundër Sirisë, ka bërë të ditur një zëdhënës i Komisionit Evropian.

Ndërsa zëdhënësja e diplomacisë amerikane, Victoria Nuland, duke reaguar lidhur me ngjarjen, ka deklaruar se, “vrasja e gazetarëve në Homs është një tjetër shembull i brutalitetit pa kufij të regjimit të Assad”.

Tani mjaft, ky regjim duhet të largohet”, ka reaguar ndërkohë nga Parisi presidenti francez Nicolas Sarkozy, pas vrasjes së gazetarëve, një prej të cilëve ishte francez.

“Nuk ka asnjë arsye përse sirianët të mos kenë të drejtë të jetojnë jetën e tyre dhe të zgjedhin fatin e tyre të lirë”, ka thënë më tej shefi i pallatit Elize. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA