Ministri i Brendshëm i Indisë, P Chidambaram ka deklaruar se një person
shumë i stërvitur kreu sulmin e së hënës ku mbeti i plagosur një
diplomat izraelit në kryeqytetin Nju Delhi.
Ministri tha se një motoçiklist kaloi prapa makinës dhe vendosi eksplozivin në derën e pasme të automjetit të diplomatit.
Pothuajse në të njëjtën kohë, një bombë në një makinë diplomatike izraelite në Tbilisi të Gjeorgjisë u gjet dhe u çaktivizua.
Irani ka mohuar akuzat e Izraelit se Teherani fshihet pas atentateve. Ndërkohë, nga shpërthimi në Nju Delhi tre persona të tjerë mbetën gjithashtu të plagosur.
“Hetimet janë në zhvillim. Ne besojmë se ka qenë një person shumë i stërvitur që ka kryer sulmin dhe se objektiv i tij ishte bashkëshortja e diplomatit izraelit. Ne besojmë se ishte një sulm terrorist”, deklaroi ministri.
Chidambaram nënvizoi se policia po skanon pamjet e regjistruara nga kamerat me qark të shkurtër, por deri tani nuk ka një imazh të qartë të motorit apo motoçiklistit.
“Ne nuk mund t’i drejtojmë gishtin askujt dhe asnjë grupi për momentin, por e dënojmë fuqishëm sulmin”, deklaroi më tej ministri i Brendshëm.
Autoritetet indiane kanë qenë në kontakt me autoritetet izraelite dhe i kanë garantuar ato se India do t’i gjejë autorët e atentatit, që ka ngritur tensionet në Lindjen e Mesme.
Top Channel