Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare, gjeneral Xhemal Gjunkshi, pas mbledhjes me kryeministrin Berisha që u organizua në zyrat e qarkut në Kukës deklaroi përmes një interviste telefonike për ‘Top Channel’ vënien në gadishmëri të të gjitha reparteve dhe infrastrukturës së ushtrisë për operacionet e ndihmës dhe shpëtimit.
“Aktualisht forcat e armatosura po operojnë në qarkun e Kukësit, Dibrës, Korçës dhe të Shkodrës. Unë gjendem në Kukës dhe gjendja nuk është shumë alarmante. Ushtria do të jetë në gadishmëri për çdo lloj situate deri në hapjen e akseve rrugore”, shprehet Gjunkshi.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare thekson se për momentin po ndërhyhet vetëm nga toka sepse është i pamundur fluturimi për shkak të kushteve të vështira.
“Nuk po ndërhyhet nga ajri sepse situata meteorologjike nuk e lejon diçka të tillë. Po operohet vetëm nga toka. Të gjitha kërkesat që vijnë në komitetin e emergjencës ne i vlerësojmë dhe caktojmë sasinë e mjeteve që janë të nevojshme për t’i dërguar në zonat që kanë nevojë”, shton Gjunkshi.
Top Channel