Tensionet ndërentike dhe fetare në Strugë rrezikojnë të dalin nga kontrolli. Mbrëmjen e së hënës në Llabunishtë të Strugës, persona të panjohur i kanë vënë flakën një kishe ortodokse, por zjarri ka shkrumbuar vetëm objektet ndihmëse të saj.

Reagimi i shpejt i banorëve ka pamundësuar që flakët të përfshijnë edhe hapësirat e kishës. Nga policia thonë se po punojnë për hetimin e kësaj ngjarjeje që ka ngritur tensionet në këtë rajon me popullatë të përzier etnike.

Duke komentuar ngjarjet e fundit në Strugë, ish-kryeministri Vllado Buckovski tha se këto ngjarje mund të sjellin edhe incidente të përmasave më të mëdha.

“Djegia e kishave më frikëson sepse kjo po merr edhe dimensione të përplasjeve fetare dhe nuk është problemi vetëm tek incidentet ndëretnike. Kjo është shumë e rrezikshme dhe duhet që qeveria dhe të gjitha institucionet ta parandalojnë këtë sepse frikësohem se mund të na ndodhin probleme me përmasa më të mëdha”, deklaron ish-kryeministri, Vllado Buckovski.

Analisti Kim Mehmeti, vlerëson se nga incidentet e këtilla më së shumti do të humb Maqedonia.

“Mendoj se nëse do të vazhdojë kjo ndeshje mes atyre që kërkojnë dhoma gazi për shqiptarët dhe atyre që djegin flamuj, mendoj se këtu do të ketë një viktimë dhe ajo do të jetë Maqedonia. Nëse Maqedonia vazhdon kësaj rruge ajo do të zhbëhet”, thotë analisti Mehmeti.

Lidhur me incidentet në Strugë ka reaguar edhe Zyra e Bashkimit Europian në Shkup prej ku është kërkuar që autoritetet maqedonase t’i pastrojnë incidentet e fundit dhe t’i nxjerrin fajtorët para drejtësisë.

Raportet mes shqiptarëve dhe maqedonasve u tensionuan pas një karnevali që u mbajt në Komunën e Vevçanit në afërsi të Strugës, ku maqedonasit kanë fyer shqiptarët dhe librin e shenjtë të muslimanëve ‘Kuranin’.

Mijëra shqiptarë të Strugës protestuan javën e kaluar kundër karnevalit të Vevçanit ndërsa dogjën dhe flamuin maqedonas.

Incidentet, reagon Ministria e Jashtme e Shqipërisë 

Ministria e Jashtme e Shqipërisë reagoi për ngjarjet e fundit  tensionuese në Maqedoni.

Në një deklarate theksohet se akti i djegies së ambienteve të një kishë nga persona të pa identifikuar, është i shëmtuar dhe i dënueshem.

‘Këto ngjarje nuk i shërbejnë frymës së bashkëjetesës multi-kulturore dhe multi-etnike të Maqedonisë. Është e nevojshme të respektohet historia dhe trashëgimia kulturore e gjithsecilit komunitet në vend dhe të promovohen vepra që përmbajnë elemente bashkues dhe jo ndares”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA