Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi për një rritje çmimi të karburanteve prej 20-30%, nëse sanksionet e vendosura ndaj eksporteve iraniane do të aplikohen.
Sipas FMN-së, një masë e tillë është në gjendje që të shkaktojë një goditje shumë më të madhe se lufta në Libi në tregjet ndërkombëtare. Irani prodhon 5% të nevojës botërore për karburant.
Për më tepër, nëse vendi aziatik do të imponojë me të vërtetë një bllokadë në Ngushticës e Hormuzit, sado e shkurtër që të jetë kjo, efektet do të ishin katastrofike, pasi prej këtij rrugëkalimi detar kalon nafta e shteteve si Iraku, Kuvajti dhe Arabia Saudite.
”Një bllokadë në Ngushticës e Hormuzit do të përbënte një goditje të paprecedent për tregjet dhe ekonominë botërore, në gjendje që të zhyste të gjithë planetin në kolaps”, shkruante Fondi në një raport të rregullt dërguar G-20.
Në vlerësimin e institucionit ndërkombëtar, çmimi i karburanteve është në presion të vazhdueshëm rritjeje, për shkak të konfliktit midis Iranit dhe SHBA-së e Europës.
BE shpalli gjatë javës një embargo ndaj naftës së vendit, bllokadë që do të hyjë në fuqi nga data 1 qershor dhe që pritet të shoqërohet me një rritje të menjëhershme të çmimit, nëse eventualisht do të imponohet.
”Rezervat e naftës së vendeve më të mëdha konsumatore janë më të vogla se zakonisht, ndërsa vendet e mëdha eksportuese kanë disa kufizime afatshkurtra për rritjen e prodhimit”, vlerësoi FMN.
Irani është prodhuesi i pestë më i madh i naftës në botë, me 3,5 milion fuçi të eksportuara çdo ditë.
Top Channel