“Gjykata tallet me popullin”

17/01/2012 00:00

Një ditë pas shpalljes së Ilir Metës i pafajshëm nga Gjykata e Lartë,
për akuzën e korrupsionit aktiv, vjen reagimi i parë nga Partia
Socialiste.

Nga Lushnja ku ndodhej në një takim me të zgjedhurit vendorë socialist Edi Rama e ka komentuar vendimin e gjykatës, si tallje cinike me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi duke theksuar se ky është një hap drejt instalimit të një regjimi të padrejtësisë në Shqipëri.

“Jam i vetëdijshëm për zemërimin që vlon mes njerëzve të zakonshëm. I vetëdijshëm për kërkesën këmbëngulëse të pjesës aktive të popullit opozitar për të reaguar ndaj padrejtësisë. Por le të jemi të vetëdijshëm – ka deklaruar Rama – se ka vetëm një rrugë për ta përmbysur këtë gjendje skandaloze dhe kjo është rruga e ndërtimit të alternativës europiane që ne kemi marrë përsipër”.

Duke e lidhur vendimin e Gjykatës së Lartë me 100 vjetorin e pavarsisë kreu opozitës ka postuar dy mesazhe në faqen e tij në Twitter ku thotë se “ Skenderbeu dhe gjithe eterit e kombit e te pavaresise shqiptare do ndjeheshin sot te turperuar nga llumi i drejtesise pas 100 vjet pavaresi”. Ndërsa në mesazhin e dytë publikuar në harkun e 1 orë Rama shkruan se “E turperuar ndjehet sot edhe Europa, qe dje u pengua nga drejtesia ne perpjekjen per ta kandiduar Shqiperine ne BE ne vitin e pavaresise”.Pavarsisht mosdaljes me një deklaratë publike për këtë cështje nga opozita kjo nuk i ka penguar disa deputetë socialistë të shprehin kundërshtinë e tyre për vendimin nëpërmjet rrjeteve sociale si Facebook dhe Twitter.

Gjykata: Ilir Meta, i pafajshëm!

Me një vendim që përmbante vetëm tre paragrafë të shkurtër, Gjykata e Lartë i dha pafajësinë Ilir Metës, duke zbuluar ndoshta atë cka pritej, por lënë pa zbardhur vetëm argumentimin e tij.

Në seancën e 21-të të procesit gjyqësor të zhvilluar në Gjykatën e Lartë në ngarkim të ish-zv.kryeministrit Ilir Meta, Kolegji Penal shpalli pafajësinë për të me 4 vota pro dhe një votë paralele. Edhe pse vendimi ishte caktuar të deklarohej në orën 13, Kolegji Penal hyri në sallë dy orë e gjysmë me vonesë.

Relatori i cështjes, Ardian Dvorani deklaroi se Ilir Meta, nën akuzë për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë, shpallet i pafajshëm për akuzën që i adresohet, atë të korrupsionit aktiv, si të paprovuar. Sipas kërkesës së avokatëve, madje me të njëjtën fjali.

Vendimi, reagon Brukseli

Komision Europian nuk ka autoritetin të komentojë për vendimet e veçanta të gjykatave në Shqipëri, por çështja “Meta-Prifti”, e ndjekur nga afër nga vetë shërbimet e Komisionit dhe ambasadave të ndryshme të huaja në vend, pritet të vlerësohet, në kuadrin e gjyqësorit, gjatë publikimit të raport progresit të radhës.

Komisioni Europian po mban shënim mbi këtë verdikt, por ne nuk mund të komentojmë mbi raste të posacme”, ka deklaruar Peter Stano, zëdhënës i komisionerit Stefan Fule.

Prifti rishfaqet të mërkurën në media

Reagimet pas shpalljes së verdiktit të Gjykatës së Lartë për procesin gjyqësor ndaj kreut të LSI-së, në ditët e ardhme priten të jenë të shumta.

Sipas të gjitha gjasave, në këto reagime interes të veçantë paraqet deklarimi i dëshmitarit kryesor të çështjes, deputeti Prifti, ish-ministri që e denoncoi publikisht dhe në Prokurori ish-zëvendëskryeministrin Meta për korrupsion.

Burime mediatike bëjnë të ditur për “Shqip” se, ish-ministri i METE-s, Dritan Prifti pritet të dalë te merkuren në media për t’u prononcuar për herë të parë pas vendimit të Gjykatës supreme. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA