Bashkimi Europian kërcënon Hungarinë

11/01/2012 16:20

Hungaria nuk ka marrë masa të efektshme për të zvogëluar defiçitin e saj buxhetor dhe si rrjedhojë, mund të humbë aksesin në fondet europiane për zhvillimin, paralajmëroi Komisioni Europian.

Në raportin e publikuar të mërkurën, KE gjithashtu kërcënoi Budapestin me ndërmarrjen e veprimeve ligjore, për të detyruar Hungarinë që të ndryshojë pjesë të kushtetutës së saj të re, që bie ndesh me ligjet europiane në disa pika.

Gjithashtu, dokumenti më kritik i adresuar ndaj qeverisë së Kryeministrit Orban, ngre shqetësime të thella për pavarësinë e Bankës Qëndore, të sistemit gjyqësor dhe për mediat.

Hungaria u shndërrua në një antare të Bashkimit Europian në vitin 2004, por që prej atëherë, e ka thyer rregullisht kufirin e defiçitit, që llogaritet deri në 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

”Duke qenë se Hungaria nuk është një antare e Eurozonës, BE nuk mund të vendosë ndaj saj sanksione ekonomike. Megjithatë, për vendin mund të pezullohen fondet e zhvillimit dhe një seri të tjerë fondesh, duke nisur nga viti 2013”, paralajmëroi Komisioneri Olli Rehn.

Ndërkohë, KE përgëzoi përpjekjet e Polonisë, Belgjiksë, Qipros dhe Maltës, vende që kanë bërë hapa të rëndësishëm në zvogëlimin e defiçitit buxhetor.

Hungaria pati nevojë për një hua madhore nga FMN në vitin 2008, por Kryeministri Orban e anulloi atë marrëveshje me marrjen e pushtetit. Aktualisht, defiçiti buxhetor i Hungarisë ka arritur në 82% të PBB-së dhe monedha vendase, forinti, po përballet me një inflacion galopant.

Top Channel