Assad: Komplot i jashtëm ndaj Sirisë

10/01/2012 10:50

Presidenti sirian Bashar al Assad ka akuzuar ndërkombëtarët për një komplot me qëllim destabilizimin e vendit të tij.

“Një komplot i jashtëm është i qartë për të gjithë”, deklaroi Assad, teksa protestat ndaj regjimit të tij vazhdojnë.

Në fjalimin e tij të parë publik prej muajsh, ai tha: “Elementë rajonalë dhe ndërkombëtarë janë përpjekur të destabilizojnë vendin”.

Kombet e Bashkuara deklaruan muajin e kaluar se mbi 5 mijë civilë janë vrarë që nga fillimi i protestave në mars të vitit të kaluar.

Ofensiva e presidentit Assad për të shtypur protestat ka sjellë në reagimin e ashpër të ndërkombëtarëve që vendosën sanksione ndaj tij.

Ndërkohë, një grup prej 165 vëzhguesish nga Liga Arabe ndodhen në Siri që prej dhjetorit për të mbikëqyrur implementimin e planit të paqes.

Plani në fjalë kërkon dhënien fund të të gjitha akteve të dhunës, heqjen e tankeve nga qytetet dhe lirimin e të gjithë të burgosurve politikë, ekzistencën e të cilëve regjimi e mohon.

Duke kritikuar grupimin rajonal, Assad tha: “Jemi të habitur përse arabët nuk janë përkrah Sirisë”.

Së fundmi, përvec vrasjeve të protestuesve, Siria është përfshirë edhe nga disa sulme kamikaze, që kanë shkaktuar dhjetra të vdekur.

Duket se prania e vëzhguesve arabë nuk e ka ndryshuar aspak situatën, gjë që ka detyruar opozitën t’u kërkojë atyre që, ose të dalin me prova, ose të largohen.

Ditën e hënë, vetë vëzhguesit u bënë pre e të shtënave pasi makina me të cilën po udhëtonin në rrugët e Homsit u qëllua me armë teksa ndodhej pranë një grupi protestuesish.

Edhe më herët gjatë muajit regjimi sirian akuzoi Shtetet e Bashkuara se kanë ndërhyrë në misionin e vëzhguesve arabë, të ardhur në Siri për të mbikëqyrur situatën në terren.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA