Siri, opozita sfidon vëzhguesit arabë

05/01/2012 00:00

Lideri i grupit kryesor opozitar në Siri ka deklaruar se vëzhguesit e
misionit të Ligës Arabe ose duhet të tregojnë provat, ose duhet të lënë
vendin.

Doktor Burhan Ghalioun deklaroi për BBC se vendet perëndimore duhet të caktojnë një zonë sigurie brenda sirisë dhe të përforcojnë një zonë-ndalim fluturimi mbi disa pjesë të vendit.

Rreth 100 vëzhgues të Ligës Arabe ndodhen në vend që prej javës së kaluar për të monitoruar implementimin e planit të paqes të përgatitur nga LA.

Lideri i Këshillit Kombëtar Sirian tha se ishte i shqetësuar se misioni në fjalë po i siguron mbulim politik nismave të regjimit për të shtypur protestat e rrugëve.

“Ne ramë dakord për misionin e vëzhguesve sepse do të ekspozonte regjimin. Por ne nuk besonim kurrë se ai do të ndalonte vrasjet”, deklaroi Ghalioun për BBC.

“Nëse ata përcojnë vetëm një copë të vogël të asaj që po ndodh këtu, atëherë është mëse e mjaftueshme për të dënuar regjimin dhe për të treguar se nuk kanë thënë gënjeshtra që nga fillimi”, shtoi ai.

Të paktën 12 persona u vranë në të gjithë Sirinë ditën e mërkurë, njoftuan aktivistët e të drejtave të njeriut, ndërkohë që OKB vlerëson se mbi 5 mijë civilë janë vrarë në ofensivat e qeverisë për shtypjen e protestave që prej muajit mars.

Shifrat për viktimat dhe detaje të tjera mbeten të vështira për t’u verifikuar pasi gazetarët e mediave të huaja e kanë të ndaluar të raportojnë lirisht nga Siria.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA