Në pikat kufitare të Merdares dhe Dheut të Bardhë ka rifilluar në orët e pasdites kalimi i qytetarëve kosovarë me letërnjoftimet e lëshuara nga institucionet e Kosovës.

Lajmin e kanë bërë të ditur burime pranë Policisë së Kosovës, të cilave u referohen mediat kosovare.

Bllokimi i qytetarëve kosovarë në këto dy pika kufitare nisi që ditën e premte, me agjentët e krahut kufitar serb që ngadalësuan ritmin e punës.

Shkak për këtë veprim të tyrin duket se u bë pritja që iu bë presidentit serb Boris Tadic nga shqiptarët gjatë vizitës së tij në Kosovë.

Që prej atëherë, qindra automjete, të drejtuara kryesisht nga emigrantë kosovarë që kthehen në vendet perëndimore, mbetën në radhë në pritje për të kaluar në Serbi.

Ditën e hënë, Ministria kosovare e Diasporës reagoi ashpër për problemet e shumta që u krijuan në pikat kufitare Kosovë-Serbi, ku qindra familje shqiptare u detyruan të prisnin në radhë të gjata për kalimin e kufirit, si pasojë e mosrespektimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë nga ana e palës serbe.

“Në këto radhë të krijuara në hyrje të shtetit të Serbisë ata që vuajtën pasojat ishin emigrantët, të cilët u detyruan të presin me ditë të tëra për verifikimin e dokumenteve të udhëtimit”, deklaroi MD.

Dikasteri në fjalë apeloi tek të gjitha palët e përfshira që të vepronin me përgjegjësi të plotë dhe ta zbatonin me përpikmëri marrëveshjen për lëvizjen e lirë, si dhe në të ardhmen mos të përsëriten pamje të tilla të shëmtuara, të cilat e pasqyrojnë fizionominë e një shteti që ka mbetur i ngecur në mendësinë e të së kaluarës dhe rob i paragjykimeve.

Ndërsa qeveria e Kosovës iu ankua Brukselit. Zyrtarë të qeverisë kosovare i kërkuan Brukselit që të bëjë presion mbi Serbinë që marrëveshja të zbatohet.

Këshilltari i shefes së delegacionit kosovar Edita Tahiri, Dren Zeka tha se arsyetimet e palës serbe, se ka patur probleme teknike të energjisë dhe në sistemin e të dhënave, nuk qëndrojnë, sepse ato kanë zgjatur me ditë të tëra.

Marrëveshja për lëvizjen e lirë ka filluar së zbatuari nga 26 dhjetori i vitit të kaluar, duke mos u shfaqur ndonjë problem për disa ditë. Por me rritjen e fluksit të madh të emigranteve jane shfaqur problemet ne kufi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA