Liderja e opozitës në Birmani, Aung San Suu Kyi beson se vendi i saj do të mbajë zgjedhje demokratike “gjatë jetës së saj”.
Në një intervistë ekskluzive për BBC, ajo megjithatë thotë se nuk e di se kur kjo do të ndodhë, apo se sa ajo vetë do të jetojë.
“Parashikoj zgjedhje demokratike gjatë kohës sime. Unë nuk e di se sa gjatë do të jetoj, por nëse bëj një jetë normale, atëherë kjo do të ndodhë”, shprehet Suu Kyi.
Suu Kyi thotë gjithashtu se të burgosurit politikë duhet të lirohen, ndërkohë që autoritetet e mohojnë ekzistencën e tyre.
Muajin e kaluar 66-vjecarja regjistroi zyrtarisht subjektin e saj Lidhja Kombëtare për Demokraci si parti politike, pas bojkotit të zgjedhjeve të 2010-ës, pasi ligji elektoral i pengoi pjesëmarrjen.
Lidhur me presidentin Thein Sein, një ish-gjeneral i lartë që u tërhoq për të marrë pjesë në zgjedhje si civil, zonja Suu Kyi vlerëson:
“Unë kam besim tek presidenti, por nuk mund të besoj ende qeverinë, për arsyen e thjeshtë se ende nuk i njoh të gjithë anëtarët e saj”.
“Gjeja më e rëndësishme për presidentin është se ai është një njeri i ndershëm. Ai është i gatshëm të rrezikojë nëse mendon se dicka ia vlen”, shton ajo.
Liderja e rezistencës paqësore do të takohet me William Hague, ministri i parë i Jashtëm britanik që viziton vendin që prej vitit 1955.
Zyrtarë të lartë të vendeve perëndimore kanë vizituar Birmaninë muajt e fundit të vitit të kaluar, pas daljes nga skena të regjimit ushtarak dhe marrjes së drejtimit të vendit nga një qeveri civile.
Top Channel