Erdogan: Sulmi ndaj kurdëve, një fatkeqësi

31/12/2011 11:40

Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të shtunën se ndien keqardhje të thellë për sulmin ushtarak ajror, i cili solli vrasjen e 35 civilëve kurdë pranë kufirit me Irakun.

Duke folur nga Stambolli, Erdogan e konsideroi incidentin si “një ngjarje tepër të trishtë dhe të pafat”. Ndonëse kërkoi një hetim të plotë për gabimin, Erdogan theksoi se viktimat e ditës së mërkurë, shumica nën 20 vjeç, ishin kontrabandistë cigaresh dhe karburanti.

Ai shpjegoi se ushtria ishte bërë dyshuese kur kishte konstatuar numrin e madh të grupit dhe i kishte ngatërruar me terroristë.

Fjalët e Kryeministrit vijnë pas asaj të një drejtuesi të një grupi separatist kurd, i cili kërkoi ngritjen kundër autoriteteve turke, për të vënë në vend drejtësinë pas asaj që ai konsideroi si një masakër.

Bahoz Erdal, antar i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, nëpërmjet një lajmërimi të publikuar në faqen e internetit të grupit shkruante: “I bëjmë thirrje të gjithë njerëzve të Kurdistanit, sidomos atyre që ndodhën në krahinën e Hakarit dhe Sirnakut, që të reagojnë pas kësaj masakre”.

Vëzhguesit ndërkombëtarë, nga ana e tyre janë shprehur të shqetësuar për përshkallëzimin e tensionit midis Turqisë dhe minoritetit kurd, duke patur frikë nga mundësia e rikthimit të një konflikti të përgjakshëm si ai i vitit 1984, i cili i mori jetën më shumë se 30 mijë personave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA