Një sulm ajror i aviacionit ushtarak turk në afërsi të një fshati kurdësh në kufi me Irakun ka lënë 35 persona të vdekur.
Agjencitë lokale të lajmeve raportojnë se disa kontrabandistë u zbuluan nga disa avionë të telekomanduar dhe gabimisht u ngatërruan për militantë kurdë.
Sulmi ndodhi të mërkurën mbrëma në afërsi të fshatit Uludere, në provincën Sirnak, në jug-lindje të Turqisë, bën të ditur agjencia e lajmeve “Dogan”.
Ushtria turke deklaroi se kishte goditur persona të dyshuar si militantë turq. Sipas një deklarate të shtabit të përgjithshëm, zona ku u krye sulmi ishte brenda veriut të Irakut dhe nuk kishte popullësi civile.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se sulmi u krye pas marrjes së disa informacioneve se grupi kishte planifikuar të sulmonte bazat turke të sigurisë.
Guvernatori i provincës së Sirnakut, Vahdettin Ozkan deklaroi fillimisht se 20 persona kishin humbur jetën, por zyra e tij sqaroi më vonë se të vrarët janë 35 dhe të plagosurit vetëm një.
“Një grup ekspertësh është dërguar në vendin e ngjarjes dhe prokurorët dhe oficerët e sigurisë ndodhen gjithashtu atje për të hetuar”, tha guvernatori për agjencinë e lajmeve “Anatolia”.
Ndërsa kryetari i bashkisë së fshatit Uludere tha për agjencinë e lajmeve “Reuters” se të gjitha viktimat kishin djegie në trup.
Autoritetet lokale saktësojnë se fuci me benzinë që po kontrabandoheshin nga autorët shpërthyen në momentin e goditjes nga raketat.
Personat në fjalë po përdornin gomerë për të kaluar kufirin dhe pasi të linin mallin në Turqi do të ktheheshin sërish në Irak.
Top Channel